Dy avionë ushtarakë rusë mbërritën në Karakas të shtunën, raportohet në mediat ndërkombëtare, me brenda 100 trupa dhe një ekspert ushtarak të sigurisë, si shenjë e aleancës mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe atij venezuelas Nicolas Maduro.
Zbarkimi i tyre vjen tre muaj pasi dy shtetet zhvilluan stërvitje të përbashkët ushtarake në Venezuelë, për të përforcuar edhe më tej marrëdhëniet mes tyre në një moment tepër delikat për vatet e vendit. Në një prej avionëve raportohet të ketë qenë edhe Vasily Tonkoshkurov, shefi i shtabit të forcave tokësore ruse, ndërsa në total janë shkarkuar 35 tonë materiale ushtarake.
Sipas agjencisë së lajmeve ruse “Sputnik”, zyrtarët kanë mbërritur në vend për të këmbyer këshilla me palën venezuelase, pasi më parë dy shtetet kanë nënshkruar një kontratë teknike muaj më parë. Ministria ruse e Mbrojtjes dhe Kremlini nuk kanë komentuar mbi raportimet.
Venezuela ndodhet në gjendje tejet të vështirë pas sanksioneve të vendosura nga administrata Trump dhe Bashkimi Europian, që gjithashtu nuk njohin më Maduron si kreun e shtetit, por Kryetarin e Asamblesë, Juan Guaido, të vetëshpallur President.
Në dhjetor, dy avionë të tjerë rusë në gjendje për të mbajtur armatime bërthamore zbarkuan në Venezuelë, në një tjetër shfaqje mbështetjeje për Maduron, ndërsa në shkurt Moska dërgoi në vendin amerikano-jugor 300 ton ndihma humanitare.
g.kosovari