Ende pa u shëruar “plagët” e asaj humbjeje me pasoja në “Loro Boriçi” ndaj Turqisë, që presupozohej skuadra për t’u lënë pas për ëndrrën “Europian”, Shqipëria do të zbresë sërish në fushë, këtë herë me një kundërshtare modeste përballë, Andorrën, që më shumë se një pengesë në këtë rrugëtim të ri të nisur keq nga kuqezinjtë, mund të shpërbejë si një “pit-stop” i shpejtë për të rregulluar “pjesët” e dëmtuara në një “aksident” të paparashikuar në start.
Tashmë pa Chrisian Panuccin në stol, skuadra do të drejtohet nga dyshja Bulku-Mema, që me siguri i kanë kthyer skuadrës atë “kimi” që i ka munguar për thuajse dy vjet me italianin. Në orën 20:45, në “Stadiumin Kombëtar” të Andorrës, duhet kthyer shpresa për një kualifikim të mundshëm në Euroë 2020. Sigurisht që humbja me Turqinë peshon shumë, por nuk ka arsye për të ulur armët pas vetëm një betejë të humbur, kur “lufta” është e gjatë të jepet mundësia për të rikuperuar besimin, entuziazmin dhe pikët që të duhen për ta mbyllur të dytët këtë fushatë eliminatore.
Në Andorrë vlen vetëm fitorja, presioni është i gjithi në krahun tonë dhe nuk duhet marrë kurrsesi lehtë ky kundërshtar që në 3 përballjet e fundit në këtë stadium ka arritur të barazojë me Gjeorgjinë (1-1) dhe Letoninë (0-0) si dhe ka humbur 0-2 me Islandën.
Por cilat do të jenë ndryshimet në formacion pas largimit të Panuccit? Sigurisht që me pezullimin e Strakoshës nga ish-trajneri, porta do t’i besohet Etrit Berishës. Në mbrojtje nuk pritet të ketë ndryshime, me Gjimshitin e Ismajlin në qendër e Hysajn e Veselin nga krahët. Në treshen e mesfushës , duke marrë në konsideratë faktin që kërkohet më shumë fantazi ndaj një kundërshtari që do të parkojë autobusin do të aktivizohen Basha-Kaçe-Xhaka. Sa i përket sulmit, Uzuni dhe Grezda do të jenë në mbështetje të Sadikut. Gjithsesi, deri kur të bëhet zyrtar formacioni mund të ketë ndonjë ndryshim të minutës së fundit.
Po në Grupin H, ku bën pjesë Shqipëria do të luhen edhe dy takime të tjera. Në orën 18:00, Turqia do të presë Moldavinë, ndërsa në 20:45 Franca luan përballë Islandës në Paris./SS
g.kosovari