Arrestohet provizorisht një shtetas indian i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, me qëllim ekstradimi drejt Indisë.
Interpol Tirana në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rinas arrestuan provizorisht shtetasin indian Hitesh Patel, 59 vjeç, lindur në Indi dhe banues në Nigeri.
Ky shtetas është kapur në në aeroportin e Rinasit në dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol New Delhi/ Indi.
Gjykata Patiala House/New Delhi, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër arresti për veprën penale “Pastrimi i parave”, parashikuar nga nenet 3 dhe 4 të “Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave”.
Veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi do të kryhen nga ZQK Interpol Tirana.
Dy vëllezër indian, Nitin dhe Chetan Sandesara janë shpallur në kërkim nga shteti i tyre me akuzën e pastrimit të parave. Dy indianët ushtrojnë një aktivitet në fushën e ndërtimit në Shqipëri.
Patel është vëllai i bashkëshortes së Cetan Sandesaras. Patel ka qenë një nga drejtuesit më të lartë të kompanisë “Sterling Biotech” dhe, sipas medieve indiane, arkitekti që krijoi skemën gjigante të mashtrimit financiar.
Përmes kompanisë “Sterling”, Nitin dhe Chetan Sandesara kanë marrë 725 milionë deri në 1 miliard dollarë amerikanë kredi nga bankat shtetërore të Indisë, para të cilat i zhdukën përmes një rrjeti prej 300 kompanish “offshore”.
Autoritetet indiane dyshonin se vëllezerit Sandesara ishin arratisur në Nigeri, por prej shkurtit të vitit të kaluar, ata janë bërë shtetas shqiptarë dhe janë duke investuar në ndërtimin e pallateve në Tiranë dhe resorteve turistike në bregdetin e jugut të Shqipërisë.
/g.kosovari