Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet i bindur se nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve. I ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” nga Bashkim Hoxha, Veliaj tha se zgjedhjet lokale që kanë të bëjnë me administrimin e qytetit nuk duhen ngatërruar me çështjet politike. “Unë kam një kontratë me qytetarët. Nuk mund të themi se pas datës 30 qershor ne nuk do i mbledhim plehrat sepse një parti nuk do të vijë në zgjedhje. Ose pas datës 30 qershor, autobusët nuk do të shkojnë në stacion, shkollat nuk do të hapen, në çerdhe nuk do të shkojë qumështi sepse një parti nuk erdhi në zgjedhje. Të ngatërrosh zgjedhjet lokale që kanë të bëjnë me administrimin e qytetit me çështjet politike, është pakuptim. Patjetër që zgjedhje do të ketë dhe patjetër që qyteti do të funksionojë”, tha ai, teksa shtoi se zgjedhjet nuk mund të shtyhen edhe për dy arsye të tjera, njerëzit që ikin me pushime, si dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët.
“Nuk mund të bëjmë zgjedhje në korrik edhe në gusht, sepse ju e dini fare mirë që njerëzit kanë edhe të drejtë të pushojnë. Kryetarët e bashkive nuk mund të firmosin gjë pas ditës kur kanë bërë betimin. Unë firmos në ditë mesatarisht 1 mijë dokumente që mundësojnë që qyteti të funksionojë në të gjitha fushat e jetës së qytetit, duke filluar nga shërbimi funeral tek certifikata e lindjes, pra në të dyja ekstremet e jetës dhe të gjithçka tjetër në mes. Pra kryetarët e bashkive do të duhet të operojnë”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se në kontrast me kapuçat, me maskat, me gurët, me molotovin, fushata do të jetë e fokusuar tek familjet dhe çfarë është bërë në Tiranë gjatë këtyre katër viteve që nga çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave.
“Unë nesër i kam ftuar qytetarët pa dallim që të jenë më mua në këtë gëzim të jetës time, për mua është një gëzim t’ju kërkoj qytetarëve të mi njerëzve më të cilët kam punuar këto 4 vite që kemi transformuar qytetin t’ju kërkoj një besim dhe i kam ftuar të gjithë njerëzit të vijnë me familjet e tyre se ne besojmë tek një qytet që është ndërtuar nga këto qeliza që janë familjet. Unë besoj që kontrasti me kapuçat, me maskat me gurët, me molotovin , me zjarrin, me shashkat është kur ne përballemi me familjet tona dhe unë besoj mes një fushate që është e fokusuar tek familjet dhe çfarë kemi bërë për familjet e Tiranës nga çerdhet, nga kopshtet, nga shkollat, këndet e lodrave dhe nga të gjithë këto ambientet dhe i një grupi tjetër që sjell në Tiranë me autobusë stafe të bashkisë, të bashkive të tjera le të themi që nuk janë modele ekselence. Unë them nesër njerëzit do të shohin kontrastet se çfarë do të thotë një qytet që nuk e pranon bullizmin, që nuk e pranon dhunën, që nuk e ulë kokën ndaj çdo ndotje. Ju e keni vënë re menjëherë në punë minutash e kthejmë në normalitet Tiranën mbasi mbaron dhuna dhe shkatërrimi”, deklaroi Veliaj.
/a.rada