Nesër opozita do të zhvillojë protestën e gjashtë nga 16 shkurti. Pas tubimit të fundit para Kryeministrisë dhe Parlamentit ditën e shtunë, ku u shënuan dhe disa incidente dhe përplasje me policinë, opozitarët rikthehen sërish nesër.
Në orën 09:30 simpatizantët e PD-së dhe LSI-së do të mblidhen para Parlamentit për të protestuar kundër qeverisë dhe legjislativit, që e cilësojnë ilegjitim pas dorëheqjes së tyre nga mandatet.
Policia ka marrë masat për shmangien e incidenteve dhe mbrojtjen e deputetëve që të mos ketë konfrontime si në rastin e tre javëve më parë, ku u sulmuan ministri Klosi dhe dy deputetë të shumicës.
Sipas burimeve për Shqiptarja.com nesër do të jenë në gatishmëri mbi 700 forca policie dhe FNSH, pra më pak se protesta e 16 marsit. Ndërkohë që masat do të jenë të shtrira para Parlamentit dhe Kryeministrisë, teksa të dy institucionet do të rrethohen me gardh metalik, si ditën e shtunë.
Protesta e 16 marsit solli përplasje mes simpatizantëve të opozitës dhe policisë, pasi çanë kordonin para Parlamentit, por u shpërndanë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion nga autobotët. Opozita ka deklaruar se protestat para Parlamentit do të vijojnë sa herë që të ketë seanca plenare.
/a.r