Rubrika e së përditshmes më të njohur franceze, “Le Monde”, e quajtur “Dekoduesit”, demaskoi një postim që këto ditë po bën xhiron e rrjetit.
Fotoja është pa kontekst dhe lajmi i përhapur është i rremë.
Në postin e ilustruar nga një imazh në një strehë malore të lartë dhe i shikuar mbi 11 000 herë, shohim presidentin Emmanuel Macron në tavolinë me bashkëshorten e tij, Brigitte, dhe një grup miqsh, që janë duke hedhur verë nëpër gota nga një shishe “Magnum” i kuq.
Aty shkruhet se ndërkohë që Parisi digjet nga jelekverdhët, presidenti pi verë 2 000 euroshe.
Por, “Dekoduesit” i kanë bërë gjërat më të qarta: para së gjithash, fotografia daton që nga prilli i vitit të kaluar.
Dhe, vera që Macron derdh është një “Chateau Montus”, një ‘Madiran’ i kuq që mund të kushtojë mesatarisht 22,50 euro shishja.