Në Shqipëri regjistrohen shumë krime të rënda në familje, por ky rast i pazakontë bëri shumë bujë në fund të vitit 2017.
Një 29-vjeçar u arrestua pasi vrau babanë e tij. Selman Aliaj ka dalë në gjyq të martën në Tiranë, i akuzuar për vrasjen e Fejzi Aliajt në dhjetor të vitit 2017.
Ky krim tronditi opinionin publik për shkak të motivit.
Siç dëshmoi të martën në sallën e gjyqit prokurori i dosjes së 29-vjeçarit Selman Aliaj, i cili mësohet se vuan nga disa probleme me dëgjimin dhe të folurën, ngjarja ka ndodhur për motive morale.
Nervat e të riut duket se nuk kanë mbajtur më, pasi i ati, siç ka dëshmuar i pandehuri, i ka kërkuar që pasi i biri të martohet, të ndanin së bashku intimitet me gruan e të birit, pasi Fejzi Aliaj ishte pa bashkëshorte.
Ai ishte divorcuar disa herë për shkak të natyrës konfliktuale që kishte.
I riu ka dëshmuar para grupit hetimor se kjo ka qenë arsyeja që ka çuar në goditjen me mjete të forta të të atit.
Më pas, i riu ka hedhur trupin e të atit në ujërat e liqenit të Farkës.
Jeta për të nuk ka qenë e lehtë, pasi jetonte me një prind që e dhunonte fizikisht e psikologjikisht dhe merrte çdo vendim për të, duke përfshirë këtu edhe fejesën pa dëshirën e tij.
Ky ishte dhe shkaku pse mes tyre nisën debatet, që arritën deri në krimin e rëndë.
Megjithatë Selman Aliaj nuk po ndëshkohet nga familjarët e tij.
Ata e kanë ndjekur në të gjitha seancat, duke i paguar edhe një avokat. Vetë Aliaj u shfaq i qetë dhe aspak i penduar u shfaq para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, raporton ABC Neës.
Familja, bashkë me mbrojtjen, pretendojnë se gjendja psikologjike e të pandehurit në momentin kur i mori jetën babait të tij ka qenë e rënduar, pikërisht për arsyet që ka dëshmuar 29-vjeçari para grupit hetimor.
Krimi i rëndë ka ndodhur më 22 dhjetor të vitit 2017.
Pas një debati të ashpër, Selman Aliaj qëlloi me çekiç babanë e tij e më pas trupin ia hodhi në liqenin e Farkës.
Në vendin e ngjarjes ishin vetëm ata të dy. (Tema)