Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet nesër duke filluar nga ora 10:30 minuta, ndërsa në rend dite ka parashikuar të shqyrtojë projektvendimet për regjistrimin e katër partive të reja për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
“Partia Personat me Aftësi të Kufizuar’’, ”Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë’’, “Partia e të Drejtave të Mohuara’’ dhe “Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare”, këto janë katër partitë, të cilat priten të regjistrohen nesër nga KQZ.
Krahas kësaj, KQZ-ja do të shqyrtojë edhe moszgjedhjen e 23 kandidatëve nga lista shumëermërore të Partisë Demokratike. Një ditë më parë, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, iu bëri thirrje subjekteve partiake që të dorëzonin brenda ditës së djeshme listat e komisionarëve të KZAZ-ve, ndërsa kësaj thirrje iu përgjigj e para Partia Socialiste, ndërkaq opozita e bashkuar vijon të mos lëshojë asgjë nga qëndrimet e saj, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe krijimin e një qeverie tranzitore pa Edi Ramën kryeministër.
Edhe OSBE në Tiranë ka apeluar që partitë të dorëzojnë listën e komisionerëve, pasi sipas tyre, çdo veprim tjetër do të cenonte procesin e rregullt të zgjedhjeve lokale, të dekretuara nga Presidenti, Ilir Meta me 30 qershor 2019.
/g.kosovari