Gjykata Kushtetuese e Bavarisë e hodhi poshtë të hënën apelin e komunitetit fetar islamik, për ta tërhequr ndalimin e mbajtjes së shamisë së kokës nga gjykatëset dhe prokuroret. Kjo u bë me argumentin se ata janë të detyruar që të jenë neutralë në çështjet e fesë dhe të ideologjisë. Gjykata shprehu opinionin që ndalimi, i cili gjithashtu i ndalon zyrtarët të mbajnë simbole fetare si kryqet ose kipën, gjatë seancave gjyqësore, nuk drejtohet kundër ligjeve të lirisë dhe barazisë fetare.
Debati për kryqin
Grupi islamik pati argumentuar se ndalimi i shkel të dyja ligjet, meqenëse simboli i krishterë i kryqit qëndron i varur në sallat bavareze të gjykatave. Këtë argument gjykata nuk e pranoi. Ajo iu përmbajt qëndrimit se prania e kryqeve është një çështje tjetër, meqenëse për të vendos administrata e gjykatave dhe ajo nuk hedh dyshim për neutralitetin e gjykatësve dhe prokurorëve si individë. Gjykata shpalli më tej se ndalimi nuk i diskriminon gratë, sepse janë të ndaluara edhe objekte të tjera me përmbajtje fetare, të cilat i mbajnë burrat.
Debat i gjatë
Çështja e mbajtjes së shamive të kokës nga gratë myslimane, veçanërisht nga nëpunësit civilë, ka qenë objekt debati prej shumë vitesh në Gjermani. Në një kontribut tjetër në këtë debat, zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman, Carsten Linnemann përsëriti një thirrje të dëgjuar dendur kohët e fundit, për të ndaluar në të gjithë Gjermaninë shaminë e kokës për vajzat nën moshën 14 vjeç.
Vajzat duhet të kenë mundësinë që të rriten me të njëjtat liri si djemtë, i tha Lindeman së përditshmes Rheinische Post në një intervistë të publikuar të hënën. Lindemann ka qenë së fundi në grupin e redaktorëve të një antologjie me titull “Islami politik nuk bën pjesë në Gjermani” dhe është pjesë e një grupi që nxit politika më të ashpra integruese.
Plan i diskutueshëm
Vitin e kaluar, qeveria e landit më të madh nga numri i popullsisë në Gjermani, Rini-Verior – Vestfali, i hapi rrugën një plani për të miratuar një ligj, i cili ndalon që vajzat nën moshën 14 vjeç të mbajnë shami koke në shkollë në fund të vitit 2019. Kritikë të shamisë së kokës e shohin atë si simbol të shtypjes së grave myslimane. Ajo mund të sinjalizojë më tej një afëri për besime më fundamentaliste. Të tjerë e shohin ndalimin e shamisë së kokës si ndërhyrje në të drejtat personale./DW
/g.kosovari