Ndërsa, Kosova nga qarqet ndërkombëtare u trajtua me të drejtë si rast “sui generis”, duke marrë për bazë se ishte element konstituiv i RSFJ-së dhe me këtë fitoi të drejtën e saj për Pavarësi edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ideja e rikthimit të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës, në administrimin e Republikës së Kosovës, mu këtu e ka logjikën dhe të drejtën ligjore të saj, andaj “sui generis” është e vlefshme edhe për Kosovën Lindore.
Nga Dr Scc. Baki Rexhepi
Ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u formua si trashëgimtare e Mbretërisë së Jugosllavisë, nën emrin Federata Demokratike e Jugosllavisë, për të ndërruar emrin më 29 nëntor 1945 në Federata Demokratike Popullore e Jugosllavisë, ndërsa në vitin 1963, përfundimisht emërohet Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Emërtimi i fundit, vjen pak pasi ishte bërë rikonfigurimi administrativ territorial, me çrrastë tri komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, iu kishin dhënë Republikës së Serbisë, ndërsa Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani i bashkëngjiten Kosovës, me qëllim të prishjes së raporteve demografike dhe zvogëlimit të ndikimit të shqiptarëve në këtë njësi konstituive të ish RSFJ-së.
Pakënaqësitë e popullatës së atëhershme u amortizuan si nga pushtetarët serb të kohës ashtu edhe nga shqipfolësit që atëbotë kishin marrë obligim nga OZN-a, organizimin e bindjes qytetare sidomos në Karadak, për bashkëngjitje të kësaj pjese me Preshevën. Është e njohur rezistenca e Maliq Musliut të fshatit Nezaj i cili nuk kishte lejuar që ky fshat të ndahet nga Gjilani e të bashkëngjitet Preshevës, madje duke i kërcënuar “parin shqipfolëse”. Revolta, pakënaqësi dhe mos pajtimet për administrim nga Serbia e kësaj pjese janë shprehur në kontinuitet. Ribashkimi me Kosovën, ka qenë vullnet i pashuar i shqiptarëve të kësaj zone, që nga dita e parë e largimit të padrejtë nga trungu etnik. Këtë e dëshmon Referendumi i 1 dhe 2 marsit të 1992, i cili për Bashkëngjitje me Republikën e Kosovës mori përkrahjen e më se 98 për qind të popullatës, kryengritja e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe të gjitha veprimet e subjekteve politike që tubojnë shqiptarët e kësaj zone.
Ndaj, ideja për korrigjim të kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe me këtë rast rikthimi i Preshvës, Bujanocit dhe të Medvegjës, në Republikën e Kosovës, e ka bazën e saj pikërisht në vullnetin e shqiptarëve të kësaj pjese, e assesi në qarqet serbo – ruse.
Ndërsa, Kosova nga qarqet ndërkombëtare u trajtua me të drejtë si rast “sui generis”, duke marrë për bazë se ishte element konstituiv i RSFJ-së dhe me këtë fitoi të drejtën e saj për Pavarësi edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ideja e rikthimit të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës, në administrimin e Republikës së Kosovës, mu këtu e ka logjikën dhe të drejtën ligjore të saj, “sui generis” është e vlefshme edhe për Kosovën Lindore.
Të dhënat historike dëshmojnë se kufijtë aktual të Republikës së Kosovës me Serbinë, nuk janë pjesë e të ashtuquajturve kufij të “AVNOJ –it” të vendosura nga komisioni i veçantë që mbikëqyrej nga AVNOJ mes viteve 1945 -1946 e që vlejnë për të gjitha ish Republikat e RSFJ-së e edhe KA të Vojvodinës.
Kufijtë aktual të Kosovës u vendosën në vitin 1959 atëherë kur Aleksandër Leka Rankoviçi – nënkryetar i RSF të Jugosllavisë, themelues i OZN-së dhe UDB-së së RSFJ-së, kishte urdhëruar bashkëngjitjen e zonës që shtrihet përgjatë lumit Ibër, në veri të Kosovës dhe në jug të rajonit të Rashkës e që deri atëherë ishte pjesë Serbisë dhe në lindje të hiqet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja territorit të Kosovës dhe ti bashkohet Republikës së Serbisë.
Korrigjimi i kufijve në vete përmban realizimin e të drejtës së nëpërkëmbur jo vetëm të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Buajnoc dhe Medvegjë, por edhe të atyre në territorin aktual të Republikës së Kosovës.
Mbrojta e kufijve aktual, do të thotë mbrojtje e kufijve Rankoviçian të vitit 1959, mbrojtje e Kushtetutës së Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës të vitit 1974 dhe e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të vitit 2008, pjesa më e madhe e së cilës rrjedh nga Plani i Marti Ahtisarit i cili i jep të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës e veçanërisht “ Enklavave serbe në Kosovë”.
Zërat për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të obligueshme dhe ndërkombëtarisht të pranueshme mes Kosovës dhe Serbisë, që për dit e më shumë po dëgjohen se do të arrihet gjatë vitit 2019, sigurisht se nuk e kanë bazën në asnjërën nga kushtetutat e dyja shteteve. Marrëveshja ka për qëllim arritjen afatgjate të paqes dhe prosperitetin e dyja vendeve drejt Bashkimit Europian, dhe në rrethana të tilla kusht i domosdoshëm është ndërrimi i Kushtetutave të cilat nuk janë citate Biblike e as Kur`anore.
Në këtë bazë fuqizohet ideja e korrigjimit të kufirit dhe rikthimi i Kosovës Lindore (Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës) në administrim të Republikës së Kosovës, si e drejtë “sui generis” e shpalljes së Pavarësisë e saj më 17 shkurt 2008, si pjesë konstituive e ish RSFJ-së.(illyriapress)