Nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave që nga sot do të fillojë zbatimi i procedurave të reja për identifikimin, ndihmën e menjëhershme dhe referimin e fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge.
Ndryshimet u bënë të ditura nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite tek Qendra Kombëtare Tranzitore e Emergjencave në periferi të Tiranës.
Një vendim i fundit Qeverisë përcakton procedurat që duhen ndërmarrë nga të gjithë institucionet, për fëmijët që janë të shfrytëzuar ekonomikisht.
“Për herë të parë me këtë vendim qeverie ngrihen skuadrat e terrenit me kapacitete të shtuara në çdo bashki por edhe me përgjegjësi të reja. Do të kenë mundësi të çojnë për kallëzim penal të gjithë ata prindër, kujdestarë apo persona që shfrytëzojnë ekonomikisht fëmijët. Kjo padyshim në bashkëpunim me institucionet” – ka deklaruar ministrja.
Manastirliu ka bërë me dije se ky vendim i Qeverisë përcakton saktë rolet dhe përgjegjësitë e të gjitha institucioneve në menaxhimin e rasteve të fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikish. Ky vendim do të zbatohet nga mekanizmat këshillimorë dhe koordinues institucionalë dhe strukturat për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës në nivel qendror dhe vendor, Policia e Shtetit dhe Inspektoriati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Gjatë vitit 2018, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës kanë ofruar shërbime dhe janë në proces menaxhimi 308 raste të identifikuar në situatë shfrytëzimi ekonomik, kryesisht lypje, mbledhje e materialeve të ricikluara dhe përfshirje në punë.
/a.r