Veprimet e policëve, që kishin shkuar në mbështetje të përmbaruesve privatë, ndaj anëtarëve të 4 familjeve, pritet të kalojnë në “sitën” e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankeseva.
Mësohet se SHÇBA, por edhe Drejtoria e Standardeve Profesionale pranë Policisë së Shtetit kanë nisur verifikimin e veprimeve policore në terren, ditën kur përmbaruesit privatë shkuan të ekzekutonin një vendim gjykate për shembjen e një banese.
Hetimi administrativ do përqendrohet nëse ka pasur tejkalim të kompetencave nga ana e uniformave blu dhe nëse ndaj anëtarëve të 4 familjeve, që u tentuan të nxirreshin jashtë banesave, është ushtruar dhunë. Nga ana tjetër, në polici u shoqëruan disa prej anëtarëve të familjeve dhe pritet të kryhen verifikime edhe për këtë rast.
Një prej familjeve që duhet të lironin banesën, është edhe ajo e efektives së policisë, Blerta Dervishi, që u konfliktua disa herë me kolegët e saj.
Sipas informacioneve, ajo është pezulluar nga detyra dhe ka marrë vërejtje për pengim të ushtrimit të detyrës. Ndërkohë veprimet e policisë me banorët e 2 shtëpive në rrugën “ Sami Frashëri ” u kritikuan edhe nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili theksoi se nuk ishin aspak dinjitoze dhe efikase.
Për këtë, pasditen e së hënës u shkarkua nga detyra edhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj. Për ngjarjen ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, që i cilësoi pamjet të trishtueshme, por sqaroi se qeveria s’ka asnjë fuqi mbi vendimet e gjykatave dhe policia e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet Përmbarimit.
/a.rada