Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po merr pjesë në sesionin e 63 të Komisionit të Statusit të Gruas që po zhvillon punimet në New York, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të 70 shteteve
“Për herë të parë qeveria shqiptare do të financojë ndërmarrjet sociale, për të mbështetur gratë dhe grupet e pafavorizuara të shoqërisë”.
Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në Selinë e Kombeve të Bashkura në New York, ku po merr pjesë në sesionin e 63 të Komisionit për Statusin e Grave.
“Dua të shpreh vendosmërinë e qeverisë shqiptare për fuqizimin e grave dhe rritjen e barazisë gjinore si factor kyç për zhvillimin e shoqërisë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me mbështetjen e UN Women ka miratuar një bazë të mirë ligjore për ndërmarrjet sociale që do të mbështeten nga qeveria” – është shprehur Manastirliu, për nxitjen e ndërmarrjeve sociale si mjet për fuqizimin e grave dhe vajzave.
Ndërmarrjet sociale që do të financohen për herë të parë këtë vit nga Qeveria shqiptare, synojnë nxitjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin ekonomik të gruas, por edhe grupeve të tjera vulnerabël. Të paktën 30 % e të punësuarve të këtyre ndërmarrjeve do të jenë persona me aftësi të kufizuar, persona që dalin nga skema e ndihmës ekonomike apo grupe të tjera të pafavorizuara.
Në një nga tryezat e diskutimeve për ndërmarrjet sociale, janë ndarë praktikat më të mira mbi fuqizimin ekonomik dhe social të grave dhe vajzave, për praktikat më të mira nga Shqipëria, Greqia dhe Italia.
Manastirliu tha se qëllimi i ndërmarrjeve sociale të mbështetura nga qeveria është të sigurojë integrimin e individeve të përjashtuar nga tregu i punës, por gjithashtu të rrisë cilësinë e shërbimeve për grupet vulnerabël, duke nxitur gjithëpërfshirjen dhe punësimin kryesisht tek gratë dhe vajzat.
“Sfidat me të cilat përballen grupe të ndryshme si gratë dhe vajzat janë të shumta, prandaj dhe duhen trajtuar në mënyre inovative. Mbështetja jonë për ndermarrjet sociale do të mundësojë adresimin e shumë problemeve sociale nëpërmjet zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme. Krijimi i një klime të favorshme dhe financimi i filluar nga qeveria këtë vit për ndërmarrjet sociale është përcaktues për suksesin e tyre” – ka deklaruar ministrja.
Manastirliu po merr pjesë në Sesionin e 63 të Komisionit për Statusin e Gruas, që po zhvillon punimet në New York, me përfaqësues të lartë nga 70 vende, për të shkëmbyer eksperiencat për sistemet e mbrojtjes sociale, aksesin në shërbimet publike dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për nxitjen e barazisë gjinore.
Në vijim, Manastirliu do të mbajë një fjalë në seancën plenare të Komisionit të statusit të gruas për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në drejtim të barazisë gjinore dhe fuqizimit ekonomik të grave dhe vajzave si dhe do të ketë takime me përfaqësues të lartë të OKB.