Nga Harold James
Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk shkaktoi debate së fundmi duke thënë se ka një “vend të veçantë në ferr” për ata që e mbështetën Brexit-in “pa plan.” Për të zemëruar mbështetësit e Brexit, deklarata mishëron qëndrimin e pavetëdijshëm, moralist të teknokracisë së Bashkimit Europian në Bruksel. Kryeministrja britanike Theresa May bëri një deklaratë që e qortoi Donald Tusk për vërejtjen e tij.
Por përgjigja e May nuk ka rëndësi. Ajo tashmë e ka zgjatur afatin e saj për mbajtjen e një “votimi domethënës” për një marrëveshje daljeje nga BE-ja, duke vërtetuar në mënyrë efektive se ajo do të mbetet pa plan deri në momentet e fundit. Me këtë ritëm, vonesat dhe zgjatjet e afateve të Brexit mund të vazhdojnë pafundësisht.
Ofendimi i madh i Tusk ishte të ofronte një të vërtetë banale dhe universale. Nëse jeni në Londër, Uashington apo kudo tjetër, kurrë nuk është e këshillueshme të hyni në një negociatë pa objektiva të qarta dhe një ndjenjë se si do të përgjigjet pala tjetër. Prandaj, gjatë gjithë historisë, burra shteti si Otto von Bismarck e kanë konsideruar diplomacinë si një lojë shahu. Ashtu siç e dinte Bismarck, nuk mjafton vetëm të lëvizësh gurët, duhet edhe të parashikosh atë që do të vijë më pas.
Sa i përket gjuhës teologjike në aktakuzën e Tusk, mund të thuhet se është plotësisht e përshtatshme që politikanët në një Europë kryesisht laike të flasin për ferrin. Në fund të fundit, edhe shumë klerikë të krishterë kanë shkuar përtej besimit në një jetë të përtejme me dënim të përjetshëm. Dhe Kisha Anglikane e braktisi idenë e purgatorit në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, me Reformimin.
Në dramën klasike të Christopher Marlowe, “Doktor Fausti” (1592), personazhi i titullit e pyet Mefistofelin se ç‘bën një demon në studimin e tij në vend që të ishte në ferr. “Pse, ky është ferri,” përgjigjet Mefistofeli, “as nuk jam jashtë tij”. Njësoj gjithëpërfshirës ishte edhe vetë koncepti ateist i Jean-Paul Sartre: “Ferri është njerëzit e tjerë.”
Ajo që nënkupton ferri në një kontekst modern politik është i hapur për debate, të paktën derisa të kemi një Dante të shekullit XXI për të ofruar një eshatologji gjithëpërfshirëse dhe një hartë të re për Infernon. Për shembull, në mbrojtjen e ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, për kandidaturën presidenciale të Hillary Clinton, ferri është destinacioni përfundimtar për “gratë që nuk ndihmojnë njëra-tjetrën”. Me sa duket, Albright nuk donte të thoshte se 42% e votuesve gra që mbështetën Trumpin i pret një e ardhme e zjarrtë përpara.
Ndërkohë, disa gazetarë italianë kanë pohuar, gabimisht, se edhe Papa Françesku ka hequr dorë nga nocioni i ferrit. Në realitet, ai e ka vendosur ferrin në qendër të vizionit të tij të njerëzimit. Françesku na kujton se ferri fillimisht rrjedh nga arroganca e një engjëlli rebel, ose mendjemadhësia. Një ves i ngulitur thellë në psikikën njerëzore, arroganca është akti i të thënit Zotit: “Ti kujdesu për veten se unë do të kujdesem vetë për veten time,” shpjegoi Françesku në 2015. Prandaj, “Ata nuk të dërgojnë në ferr. Ti shkon atje sepse zgjodhe vetë të ishe atje.”
Brexit përfaqëson pikërisht këtë kurs. Nëse ferri është të mendosh se nuk ke nevojë për të tjerët dhe se duhet të kujdeseni vetëm për veten, atëherë në këtë pikë janë edhe mbështetësit e Brexit. Ata që besojnë vetëm te vetja nuk shohin nevojë për të negociuar, sepse ata mendojnë se pala tjetër thjesht do të përulet para vullnetit të tyre.
Por në marrëdhëniet ndërkombëtare, supozimi se dikush mund të rregullojë gjithçka vetë krijon një ferr oër të tjerët që duhet të jetojnë aty gjithashtu. Ferri, në këtë kuptim, është ajo që ndodh kur njerëzit i jepen joshjes së vetëvendosjes dhe “sovranitetit”, duke krijuar një cikël vetë-përjetësimi të marrëdhënieve të tensionuara dhe të unilateralizmit reciprokisht shkatërrues. Ky version i ferrit ka tendencë të zgjasë goxha kohë, sepse secila palë ka kujtesën e saj selektive dhe dëshiron të ndëshkojë tjetrën.
Ndërsa pohimi i sovranitetit duket se ngjall mundësi të reja të pafundme, siç ka bërë qartësisht për përkrahësit e Brexit, ai në fakt kufizon zgjedhjet e dikujt. Ata që heqin dorë nga traktatet, për shembull, ftojnë të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë, pas së cilës bëhet gjithnjë e më e vështirë të krijohet ndonjë lloj marrëveshjeje. Dhe ata që e kanë bindur veten se mund të zgjedhin lirisht midis mundësive të pafundme të parealizuara, priren të jetojnë në keqardhje të vazhdueshme të mënyrës si mund të kishin shkuar gjërat. Ky është kurthi i ngritur nga arroganca.
Kështu, si Tantali që shikon përgjithmonë frutat që s’mund të arrijë, Mbretëria e Bashkuar dëshiron të ndjekë marrëveshjet tregtare që anëtarësimi i saj në BE i parandalon. Ajo që mbetet pa thënë është ajo që do të nënkuptonte kjo në praktikë. Mbretëria e Bashkuar mund të synojë maksimizimin e prosperitetit duke nxitur derregulimin sa më shumë që të jetë e mundur. Megjithatë, për të tregtuar me fitime me vendet e tjera ose BE-në, ajo do të duhet të plotësojë standardet e tyre rregullatore në lidhje me sigurinë, cilësinë dhe kështu me radhë. Për më tepër, jashtë kuadrit rregullator të BE-së, liria e re e Britanisë do të nënkuptonte edhe përgjegjësi të reja për të futur rregullat që mbrojnë banorët e Mbretërisë së Bashkuar.
Pyetja e vërtetë, atëherë, është nëse arratisja është e mundur. Nëse May donte të ishte e guximshme, ajo mund të lëshonte deklaratën e mëposhtme: “Brexit është një gabim i tmerrshëm. Vendimi u arrit pas një fushate gënjeshtrash dhe ndikimesh të huaja të këqija dhe është e qartë se kostot e saj do t’i tejkalojnë përfitimet. Si e tillë, qeveria ime ka vendosur të mos e vazhdojë më tej këtë gjë. Në vend të kësaj, ne do të angazhohemi të punojmë me BE-në për të trajtuar shqetësimet britanike dhe për t’u përgatitur për një të ardhme të paparashikueshme.”
Një deklaratë e tillë është sigurisht e pamundur, sepse May e ka paguar tashmë çmimin me anë të zgjedhjeve të saj të mëparshme. Atë dhe Mbretërinë e Bashkuar e presin akoma më shumë ndëshkim. Së pari, realiteti i dëshpëruar në terren do të ekspozohet dhe do të qëndrojë në një kontrast shokues me atë që mund të kishte qenë. Pastaj, dikush do të duhet të mbahet përgjegjës. Por caktimi i fajit është një ndëshkim në vetvete. Sipas Dantes, shkelësja e kurorës Francesca da Rimini e kalon pjesën tjetër të përjetësisë duke akuzuar vazhdimisht të gjithë përveç vetes për veprimet e saj.
Edhe Brexit parashikon një fat kombëtar të ngjashëm. Debatet në Uestminster dhe Whitehall nuk tregojnë shenja fundi dhe po bëhet gjithnjë më e qartë përse. Brexit është një dënim i përjetshëm.
Project Syndicate-Birn