Deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea deklaroi sot se, “nuk do të këtë pushtet në tavolinë, pavarësisht pretendimeve të opozitës”.
E ftuar në një studio televizive, ajo nënvizoi se “zgjedhjet e 25 qershorit 2017 janë certifikuar nga ndërkombëtarët dhe pretendimet e opozitës për manipulim apo blerje nuk ekzistojnë”.
“Në 2017 zgjedhjet nuk kishin asnjë kontestim nga ana e opozitës, përfshirë edhe komisionerët e opozitës. Këto zgjedhje janë njohur nga ndërkombëtarët dhe janë certifikuar. Pushtet në tavolinë nuk ka. Ne jemi të zgjedhur nga populli dhe do të udhëhiqemi nga sistemi demokratik”, theksoi ajo.
Duke folur për zgjedhjet vendore, Gjebrea pohoi se, “Partia Socialiste ka nisur procesin për të përzgjedhur kandidatët për zgjedhjet lokale dhe këto emra do të publikohen në Kongresin e Partisë Socialiste”.
“Kongresi i partisë është një forum i rëndësishëm dhe ka shumë çështje për të diskutuar, ndërsa do të ketë edhe zyrtarizmin e emrave që do të garojnë për zgjedhjet lokale.
Patjetër që është një proces shumë i gjatë. Nuk do të ketë shumë surpriza. Unë nuk di detaje të kandidaturave që do të zgjidhen për kryetarë të bashkive, pasi kjo është e drejta ekskluzive e kryeministrit”, tha ajo.
/a.rada