Nga Mero Baze
Lulzim Basha po bëhet i lodhshëm me gjuhën e drunjtë dhe sloganet që përdor, për të mbuluar pafuqinë e parashikimit të fundit të aksionit të tij politik. Ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare kërkon një zgjidhje të krizës dhe fton palët në dialog, Lulzim Basha ka shpikur një tezë të re politike, se ai do ulet të bisedojë me socialistët e thjeshtë, pa Edi Ramën në krye.
Nga mënyra si e thotë dhe nga mungesa e intelektit që rrezaton kur përpiqet të duket sikur ka ndonjë plan, në fakt ai është duke legjitimuar njëqind për qind, atë që po ndodh në Parlamentin e Shqipërisë.
Pas djegies së mandateve nga opozita, KQZ ka zbatuar procedurën ligjore dhe ka ftuar të marrin mandatet deputetët e tjerë të listës së PD dhe LSI. Dhe duket se ritmi me të cilin po i përgjigjen këtij detyrimi ligjor shumë deputetë, është i lartë.
Është aq i lartë, sa Edi Rama ka filluar bën humor e thotë që do dialogojë me opozitën e re në Parlament.
Dhe nuk ka faj. Jo vetëm pse ajo është e vetmja alternativë që i ka lënë Basha me firmë të vet, por mbi të gjitha, se goditja kryesore idiote që tenton të bëjë kryetari formal i opozitës, është pikërisht përpjekja për të delegjitimuar kundërshtarin si kryetar i Partisë Socialiste dhe për të caktuar ai se kush është kryetari i PS dhe kryeministri i saj.
Pra, ai është i pari që ka nisur një aksion politik, për të delegjitimuar palën tjetër dhe për ta caktuar ai se me kë do flasë, e me kë do të ndeshet në betejë. Luzlim Basha do zgjedhje, i do tani, i do pa Edi Ramën dhe do që të caktojë dhe një kryeministër që e pranon ai, në këtë rast Pandeli Majkon, me siguri ngaqë ka dëgjuar kur ka qenë emigrant se ai është kryeministër dezhurn, sa here është nevoja.
Kjo gjë është më shumë se banale kur merret seriozisht si tezë politike.
Në politikë, në një sistem demokratik, je i dënuar të mos e zgjedhësh kundërshtarin, por të ndeshesh me atë që ke përballë dhe me atë çfarë përfaqëson ai.
Të zgjedhësh kundërshtarin, të caktosh kryetarin e kundërshtarit dhe të diktosh rregulla për palën tjetër, do të thotë ose që je idiot, ose të kesh në mendje se jeton në një regjim ku ti vendos rregullat e lojës.
Në fakt, rregullat e lojës janë vendosur më 8 dhjetor 1990 dhe prej asaj dite, palët njohin njëra- tjetrën dhe përballen me njëra- tjetrën.
I pari rast kur një palë ka ikur nga fusha e lojës dhe thotë nuk luaj më me atë të gjatin se na mund, është kjo e Lulzim Bashës.
Përpjekja e tij për të caktuar udhëheqësin e palës tjetër dhe duke pasur guximin ta quajë këtë dhe lëvizje politike, përveçse e bën njeri qesharak, e bën dhe Edi Ramën të rrezikshëm, pasi i jep atij të drejtë të caktojë kryetar të PD-së, Lefter Maliqin dhe kryetar të LSI-së, Ylli Shehun, pasi ata e pranojnë për kundërshtar në Parlament.
Ata janë në Parlament për arsye ligjore dhe për shkak të meritave të Lulzim Bashës, që i ka futur në lista, por nëse Lulzim Basha promovon teorinë se ai duhet të caktojë dhe interlokutorin, dhe udhëheqësin e PS, atëhere përpara kësaj, ai ka caktuar udhëheqësit e opozitës, që dhe ashtu, janë me firmë të tij në Parlament.
Prandaj të gjithë ata që bëjnë sikur irritohen kur Edi Rama bën humor me “opozitën” e re në Kuvend, në fakt duhet të irritohen dhe shqetësohen kur bëjnë sikur dëgjojnë me durim një idiotësi, që ka disa javë që përsëritet nga goja e Lulzim Bashës, dhe që ka të bëjë me faktin se ai do një qeveri pa Edi Ramën, biles lakon dhe emrin e kryeministrit që do të donte, a thua se ka mandatin të bëjë qeveri në këtë vend.
Dhe në fund, thotë se do dialogojë me socialistët e vërtetë, pa Edi Ramën. Po qe se e ka seriozisht atë, është vonë, pasi Edi Rama ka filluar të dialogojë me demokratët e “vërtetë” në Kuvend. Falë idiotësisë së Lulit.