Nga Alfred Peza
Zhvillimet e të martës së kësaj jave, brenda në Parlament dhe rrotull tij, shtruan edhe njëherë pyetjen rreth legjitimitetit të pushtetit legjislativ sot në Shqipëri, pas dorëzimit të mandateve nga ana e deputetëe të opozitës. Pas Ilir Metës që tha se aktualisht jemi në krizë institucionale, ishte Monika Kryemadhi 24 orë më pas, që përsëritit të njëjtat fjalë, duke vendosur gishtin për këtë, mbi Kuvendin e Shqipërisë.
Pyetja që shtrohet pas kësaj, është:
A është në krizë një institucion që mblidhet rregullisht, diskuton e debaton rregullisht dhe që në fund të fundit, mer vendime duke votuar rregullisht? Përgjigja është: Jo!
Jo vetëm formalisht por edhe nga pikpamja e funksionalitetit dhe efikasitetit, siç jemi dëshmitarë të gjithë, ky Parlament vazhdon punën normalisht pa e ndërprerë për asnjë javë të vetme. Mazhoranca qeverisëse e vendit ka më shumë se 50% + 1 votave, seancat janë mbledhur duke patur gjithmonë kuorumin e nevojshëm dhe në të gjitha rastet, projektligjet që kanë qenë në rendin e ditës, janë debatuar dhe më pas miratuar në parim, nen për nen dhe në tërësi, sipas rregullores së Parlamentit.
Deri këtu ajo që po ndodh në pamje të parë me punën e Kuvendit të Shqipërisë, nuk është gjë tjetër, veçse vijimi rutinor i punës sipas një kulture të vjetër bojkoti ciklik, të cilën partitë opozitare kanë 30 vjet që e aplikojnë. Ndryshimi thelbësor këtë radhë, në raport me të gjitha bojkotet e tjera, qëndron në faktin se deputetët e opozitës i kanë dorëzuar mandatet e tyre “pa kthim”. Çka jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë historinë e demokracive parlamentare të botës moderne, ky është një akt i paprecedentë.
Pyetja që lind pas kësaj është: Le të biem dakord që Parlamenti, nuk ka një krizë formalitetit dhe funksionaliteti praktik, por a është ai një institucion legjitim? Pra, a jemi në kushtet e një krize legjitimiteti?
Edhe në këtë rast, përgjigja është JO, sepse:
Dalja e opozitës nga sistemi nuk erdhi për shkak të humbjes së legjitimitetit të mazhorancës, por për shkak të prishjes së njëanshme të marrëveshjes së partive të minorancës Parlamentare, me zgjedhësit e vet që ia kishin besuar përfaqësimin në këtë pozicion, deri në zgjedhjet e 2021. Ky ishte një akt i pastër tradhëtie politike nga ana e PD, LSI dhe aleatëve të tyre, thjeshtë dhe vetëm për shkak të kërkesës së liderëve të tyre për ta marë pushtetin në tavolinë, nga pamundësia për ta mundur mazhorancën aktuale qeverisëse, me votë.
Ndërkohë që opozita jonë po zhvillonte protestën e radhës jashtë gardhit të Parlamentit, brenda sallës së seancave plenare, katër deputetë të rinj nga listat e kandidatëve në zgjedhjet e 2017, bënë betimin për të nisur plotësimin e karrikeve të lëna bosh nga opozita. Ky ishte një hap legjitim për aq kohë sa Kushtetuta, KQZ, Parlamenti por mbi të gjitha edhe vullneti i zgjedhësve të tyre ia kanë dhënë këtë mandat, ia kanë besuar këtë përfaqësim, ia kanë njohur këtë përgjegjësi dhe ia kanë ngarkuar këtë detyrë.
Në të njëjtën kohë që në Tiranë zhvillohej ky debat, Monica Macovei, Kryetarja e Delegacionit të PE në Komisionin Parlamentar të Stabilizim- Asociimit mes BE dhe Shqipërisë deklaroi se “Parlamenti shqiptar duhet të jetë platform e vetme për diskutim politik. Deputetët e opozitës kanë tradhëtuar votuesit e tyre duke hequr dorë nga mandatet e tyre dhe kanë provuar se opozita nuk po punon drejt afrimit të Shqipërisë me BE. Pas zgjedhjeve të përgjithsme të vitit 2017 dhe raporteve të OSBE/ ODIHR, si dhe vëzhguesve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, ne konsiderojmë që Parlamenti dhe qeveria shqiptare është plotësisht legjitime”.
Për aq kohë sa institucioni i Kuvendit të Shqipërisë është plotësisht funksional dhe për aq kohë sa për zgjedhësit shqiptarë dhe për arbitrin ndërkombëtar, jo vetëm ai por edhe qeveria që ka buruar prej saj është legjitime, atëherë nuk kemi një krizë institucionale. Ndaj, e vetmja krizë që ka sot me sa duket Shqipëria, është kriza e opozitës, të cilën vetëm Presidenti i Republikës nuk do që ta shohë!
Me aktin e daljes nga sistemi, opozita po kërkon që tia injektojë krizën e saj reale, rendit tonë politik në mënyrë që të provokojë paqëndrueshmërinë e saj. Por, siç po kuptohet nga dita në ditë, e vetmja që po e pëson nga kjo tentativë për ta futur vendin në një krizë artificiale, është opozita vetë. Me futjen dhe betimin e deputetëve të rinj në Parlament, ka nisur edhe udhëtimi drejt një të ardhmje me shumë të panjohura politike dhe ekzistenciale për PD, LSI dhe aleatët e tyre vetë. Ky është i vetmi lajm i keq për mazhorancën shqiptare, e cila nuk është e lumtur për këtë, sigurisht! Por, duke i patur edhe këto, jeta politike megjithatë, vazhdon.