Ndryshojnë rregullat në botën e futbollit. Bordi i Shoqatës së Futbollit Ndërkombëtar (IFAB) ka konfirmuar se golat që do shënohen aksidentalisht me dorë do të anullohen.
Drejtori teknik i IFAB-it, David Elleray ka sqaruar se, ky ndryshim nënkupton nëse një gol shënohet apo nëse krijohet ndonjë rast nga prekja e topit me dorë, qoftë ajo e paqëllimtë, do të akordohet goditje dënimi.
“Prekjet e qëllimshme me dorë të topit mbeten të palejueshme. Ajo që tani jemi duke e menduar në veçanti në situatat në sulm është nëse lojtari favorizohet qartazi dhe padrejtësisht duke e kontrolluar apo fituar topin si pasojë e kontaktit të tij me dorë”, shtoi ai.
“Ndryshimi, shtoi Elleray, nënkupton se fitimi apo kontrollimi i topit dhe pastaj shënimi i golit si pasojë e lojës me dorë nuk do të lejohet, e as nuk do të lejohet shënimi i golit direkt nga prekja e topit me dorë, pavarësisht qëllimit. Edhe në rastet kur topi preket aksidentalisht me duar, nëse duart e futbollistit shtrihen përtej “siluetës natyrale”, atëherë do të akordohet goditje dënimi”, nënvizoi Elleray.
/a.r