Komisioni i mandateve është mbledhur pak minuta më parë, per të shqyrtuar 4 kandidatët që marrin mandatin e deputetit. Komisioni po e zhvillon mbledhjen në selinë e Kuvendit.
Pas djegies së mandateve nga opozita, pranuan të ulen në karrigen e deputetit katër kandidatë nga LSI-ja, Aurora Mara, Ylli Shehu, Edmond Rrushaj dhe Enver Roshi. Ata do të zëvendësojnë Edmond Haxhinaston, Floida Kërpaçin, Endrit Brahimllarin dhe Përparim Spahiun
Deputetët e rinj
Aurora Mara ishte kandidate e LSI-së në Qarkun e Dibrës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ajo ishte e dyta në listë pas ish-deputetit Përparim Spahiu, i cili ishte edhe udhëheqësi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës.
Ylli Shehi u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2013 nën siglën e Partisë Republikane të udhëhequr nga Fatmir Mediu. Para zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ai kaloi me LSI-në, gjë e cila krijoi besimin për ta rikandiduar edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Edmond Rrushaj ishte i nënti në listën e kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ai ka mbajtur më përpara detyrën e drejtorit të QSUT-së.
Enver Roshi ka mbajtur më parë detyrën e drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik si edhe të dekanit në Fakultetin e Mjekësisë.