Qeveria i bëri thirrjen e parë opozitës së re që pritet të futet në Kuvendin e Shqipërisë pas djegies së mandateve nga opozita, tashmë jo parlamentare, PD-LSI dhe aleatët e djathtë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, kërkoi bashkëpunimin e deputetëve të rinj, 4 të parëve që vijnë nga radhët e LSI-së, dhe kandidatëve të tjerë që pritet të pranojnë mandatin e deputetit, sa i përket votës së emigrantëve.
“Që prej muajit korrik të vitit të kaluar, ministri Pandeli Majko ka depozituar në Kuvend një dokument të detajuar me sugjerimet përkatëse për hapat që duhet të ndiqen për lejimin e votës së emigrantëve. Për fat të keq, bllokimi i Kuvendit nga opozita e ka bërë të pamundur debatimin e kësaj teme me rëndësi kombëtare, ndaj gjejmë rastin që t’i bëjmë thirrje e njëkohësisht të theksojmë se mbetemi shpresëplotë që opozita të marrë seriozisht këtë çështje, duke e bërë pjesë të bisedimeve të reformës së ardhshme zgjedhore. Bashkëpunimi i opozitës së re në Kuvend do të nevojitet edhe për kalimin e ndryshimeve në vetëqeverisjen vendore, një ligj që kërkon 3/5 për të bërë realitet krijimin e një zyre speciale, të dedikuar për diasporën në çdo njësi administrative”, tha Spiropali.
Njohja e pensioneve është një tjetër pikë në interes të shqiptarëve që jetojnë jashtë është njohja e pensioneve. Për këtë arsye qeveria ka emëruar një Koordinator Shtetëror për Pensionet.
Deklarata e Spiropalit
Samiti i Dytë i Diasporës, i cili përkoi me 575-vjetorin ogurmirë të Kuvendit të Lezhës, bashkoi në Tiranë mbi 1 200 personalitete të shquara të diasporës shqiptare, si dhe një numër ekspertësh me famë ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, arsimit, politikës, kulturës, etj. Përveçse një mundësi e shkëlqyer për t’u takuar dhe për t’u bërë bashkë rreth sfidave të përbashkëta, ky Samit prodhoi një numër rezultatesh konkrete, të cilat dëshirojmë t’i ndajmë me ju.
Së pari, një hap shumë i rëndësishëm përpara u hodh në kuadër të së drejtës së votës për emigrantët. Ky është një angazhim kyç i kësaj mazhorance, e cila është e para dhe e vetmja që është zotuar për të bërë realitet votën për bashkëkombësit tanë në botë. Gjatë Samitit, u parashikuan hapa konkretë për të realizuar votimin në distancë në Shqipëri dhe Maqedoni, çka do të bëjë të mundur përfshirjen aktive të diasporës në jetën tonë publike.
U nënvizua po ashtu domosdoshmëria e zbatimit konkret të së drejtës së votës në Kosovë, ku parashikimet ligjore e njohin këtë të drejtë, por për arsye të ndryshme ende nuk është e mundur të implementohet. Jemi të kënaqur, që pas disa viteve punë, Shqipëria është sot shumë më pranë realizimit të kësaj të drejte. Që prej muajit korrik të vitit të kaluar, ministri Majko ka depozituar në Kuvend një dokument të detajuar me sugjerimet përkatëse për hapat që duhet të ndiqen për lejimin e votës së emigrantëve.
Për fat të keq, bllokimi i Kuvendit nga opozita e ka bërë të pamundur debatimin e kësaj teme me rëndësi kombëtare, ndaj gjejmë rastin që t’i bëjmë thirrje e njëkohësisht të theksojmë se mbetemi shpresëplotë që opozita të marrë seriozisht këtë çështje, duke e bërë pjesë të bisedimeve të reformës së ardhshme zgjedhore. Bashkëpunimi i opozitës së re në Kuvend do të nevojitet edhe për kalimin e ndryshimeve në vetëqeverisjen vendore, një ligj që kërkon 3/5 për të bërë realitet krijimin e një zyre speciale, të dedikuar për diasporën në çdo njësi administrative.
Një tjetër hap i rëndësishëm është hedhur në drejtim të modelit të ri ekonomik, i cili parasheh për diasporën një rol të ri shumë më aktiv, duke zëvendësuar modelin e remitancave që financojnë në masë të madhe konsumin e familjeve të mbetura pas, e shumë pak më shumë të tjera për investime të qenësishme dhe të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Janë pothuajse 30 miliardë dollarë remitanca që Shqipëria ka përfituar në këto tre dekada, shumë më tepër se investimet e huaja gjatë kësaj kohe e nëse do të kishim pasur qysh herët një vizion për kanalizimin e kësaj shume në ekonomi, sot do të ishim në një situatë krejt tjetër, sa i përket mirëqenies dhe punësimit në vend.
Nën modelin tonë të ri ekonomik, të mbështetur tek prodhimi, turizmi dhe eksporti, diaspora do të ketë një rol kyç si një investitor i mirëfilltë që rikthehet në Shqipëri, jo vetëm prej të afërmve, por mbi të gjitha për shkak të mundësive reale për t’u begatuar dhe për të krijuar vende pune.
Me përfaqësues të biznesit shqiptar në Gjermani, u diskutua për nismën e fundit që biznesi shqiptar në rajon dhe qeveritë e Kosovës e Shqipërisë po ndërmarrin, atë të krijimit të Dhomës së Biznesit të Diasporës. Ky është një model i provuar më parë, që ka dhënë rezultate të shkëlqyera kudo ku është aplikuar. Dhoma e Biznesit të Diasporës në Tiranë do të përfaqësojë të gjitha bizneset e diasporës shqiptare, kosovare e maqedonase kudo të ndodhen.
Një tjetër projekt madhor që është në rrugën e realizimit është themelimi i Bankës së Diasporës, që do të jetë një kanal i drejtpërdrejtë i thithjes dhe injektimit në ekonomi të kapitalit të diasporës. Në këtë kuadër, u dakordësuam gjithashtu dhe për mënyrat konkrete të kanalizimit të investimeve të diasporës në fushën e turizmit dhe atë të agroturizmit, një sektor ky i subvencionuar direkt nga shteti e me një potencial të jashtëzakonshëm pasurimi dhe zhvillimi.
Për herë të parë, kemi emëruar një Koordinator Shtetëror për Negocimin e Marrëveshjes së Pensioneve. Ky koordinator do të ketë obligimin e përditshëm për të shtyrë përpara bisedimet e nisura me të gjitha vendet, që nuk kanë nënshkruar ende me Shqipërinë marrëveshjen për njohjen e pensioneve.
Për herë të parë, kemi një Koordinator Shtetëror për kalendarin e përbashkët të aktiviteteve që promovojnë imazhin, bukuritë natyrore, vlerat historike, kulturën, gjuhën, apo traditat tona nëpër botë. Programi i aktiviteteve për këtë vit ka nisur në fillim të shkurtit në Milano, në një panair mbi kulinarinë dhe artizanatin, e do të vazhdojë përgjatë të gjithë vitit nga qendrat e rëndësishme europiane, deri në destinacione si Tel Avivi, Dubai, apo Tokio.
Një risi, po ashtu krijimi i rrjeteve të profesionistëve që kontribuojnë dhe funksionojnë në mënyrë konkrete, si rrjeti i avokatëve në Itali, nga i cili 15 avokatë erdhën në Samitin e II-të, rrjeti i mjekëve në Gjermani, i mësuesve të shqipes në Greqi, Itali, Zvicër, Angli, etj. Këto janë rrjete që funksionojnë plotësisht përgjatë të gjithë vitit.
Në mbrëmjen gala u lançua dhe projekti i ri prestigjioz i Muzeut të Diasporës. Në pritje të konkretizimit të këtij Muzeu, në Muzeun Kombëtar Historik është krijuar pavijoni i parë dedikuar plotësisht diasporës. Nën moton “shkruaj dhe ti emrin tënd” është krijuar një platformë konkrete, që do të nxisë filantropinë dhe donacionet.
Në fushën e arsimit dhe të kulturës, falë edhe erës së re të bashkëpunimit që kanë krijuar mbledhjet e përvitshme të qeverisë sonë me qeverinë e Kosovës, janë hedhur hapa të rëndësishëm përpara, si kurrikulat e përbashkëta, krijimi i një database të përbashkët për mësuesit dhe nxënësit e shqipes në botë, apo zhvillimi i seminarit të përbashkët të mësuesve të diasporës. Pjesë e angazhimit tonë për të rritur vit pas viti buxhetin për arsimin është dhe rritja e buxhetit për të financuar pajisjen me libra dhe bazë materiale, si dhe rritjen e financimit për shkollat, apo qendrat kulturore shqiptare nëpër botë, në mënyrë që fëmijët shqiptarë të mos humbin kontaktin me gjuhën që është aq e rëndësishme për të ruajtur deri në fund identitetin.
Për herë të parë, nën drejtimin e kësaj qeverie, Shqipëria ka një Strategji Kombëtare për Diasporën, një strategji e bashkërenduar edhe me Kosovën që është pjesë e vizionit tonë për afrimin dhe bashkimin e shqiptarëve, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin kulturor, arsimor, politik e më gjerë. Megjithatë, në Samit u dakordësuam që deri në muajin korrik të sjellim përditësime të reja, për ta bërë këtë strategji sa më efikase dhe gjithëpërfshirëse, duke mbajtur parasysh edhe rekomandimet aq të vyera të diasporës sonë.
Në Shqipëri, përditë flasim për integrimin e vendit, por harrojmë që gati gjysma e bashkatdhetarëve tanë janë tanimë të integruar në vendet e Bashkimit Europian, apo vendet më të zhvilluara të botës, duke dëshmuar historitë e tyre të jashtëzakonshme të suksesit.
Qëllimi i këtij Samiti, si dhe të gjithë politikave tona disavjeçare për diasporën janë që gjithë këto energji të bëhen bashkë, për të bërë të mundur që vendi ynë të ecë sa më shpejt dhe më i sigurt në rrugën e tij të zhvillimit, të integrimit dhe të emancipimit.
/a.meta