Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi të dielën se seanca dëgjimore publike e ish-avokatit të tij, Michael Cohen nga një komision hetimor parlamentar mund të ketë ndikuar në dështimin e samitit me liderin koreano-verior, Kim Jong Un në Hanoi, javën e kaluar.
Në një seri postimesh në Twitter, Donald Trump e cilësoi Michael Cohen si gënjeshtar dhe mashtrues.
Ai denoncoi gjithashtu vendimin e komisionit hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve, ku demokratët zotërojnë shumicën, për të organizuar seancën dëgjimore në momentin kur po zhvillohej samiti për çështjen bërthamore koreano-veriore në Vietnam.
Samiti, që filloi të mërkurën e kaluar, u ndërpre në mënyrë të papritur të nesërmen dhe dy kampet u ndanë pa publikuar as deklaratën e përbashkët që ishte planifikuar fillimisht.
”Duhet ndonjëherë të largohesh nga tryeza e negociatave”, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë, pasi sqaroi se ”diskutimet dështuan mbi çështjen e sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Veriut nisur nga fakti i programeve të tij bërthamore dhe balistike të ndaluara.”
/a.rada