Katër persona kanë rënë në prangat e policisë për dhunën e ushtruar në ndeshjen Kamza-Laçi.
Bëhet fjalë për Presidentin e Klubit, shefin sportiv dhe dy të tjerë, që Policia e Tiranës i ka arrestuar për dhunë në kushtet e flagrancës.
Në pranga kanë rënë Presidenti i klubit të Kamzës Naim Qarri, A.M. drejtori sportiv dhe A.B. shefi i klubit sportiv, si dhe tifozi me iniciale E.Gj.
Po kështu, janë indentifikuar dhe shpallur në kërkim edhe katër tifozë të tjerë me iniciale B.Q., A.Q, A.Q. dhe K.Q.
Të gjithë akuzohen për goditje për shkak të detyrës dhe prishje të qetësisë publike.
Katërmbëdhjetë persona të tjerë janë shoqëruar në Komisariatin Nr.5 për incidentet e krijuara.
Shfaqja e shëmtuar u shënua sot, ndërsa arbitri Eldorian Hamiti u godit nga tifozët e ekipit vendas, pasi akordoi një penallti në minutën e fundit të kohës shtesë, e cila u kthye në gol nga miqtë.
Ishte minuta e 95 dhe Kamza ishte pranë një fitoreje shumë të rëndësishme, pasi luftoi për mbijetesën, por arbitri vërshëlleu për penallti në favor të Laçit pas një faulli të portierit Ilir Avdyli kundër njërtit prej lojtarëve të ekipit mik.
Penalltia u shndërrua në gol nga Najdenov duke barazuar rrjetën e Plakut.
Kjo shkaktoi reagime të forta te tifozët e ekipit të Kamzës, të cilët hynë në fushën e lojës duke goditur arbitrin e takimit, Eldorian Hamiti.
/a.rada