Tarifat e roamingut në telekomunikacion mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të hiqen në muajin maj të këtij viti, thotë për Radion Evropa e Lirë koordinatori kombëtar i të dy qeverive, Fatmir Limaj.
Ai nënvizon se heqja e tarifave dhe shumë marrëveshje tjera të arritura më parë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, janë në rrugë të mirë të zbatimit.
“Ne, si Kosovë, jemi gati menjëherë ta zbatojmë roamingun, por besoj që edhe Tirana shumë shpejt, përmes vendimit të Qeverisë dhe Parlamentit, do ta marrë atë vendim dhe në maj nuk do të kemi problem me roamingun, dhe do të zbatohet pastaj është çështja e lejeve të drejtimit që pothuajse është zgjidhur. Te çështja e qarkullimit të lirë të qytetarëve, duhet të jemi të kujdesshëm duke respektuar obligimet që kemi me Bashkimin Evropian si dy vende”, thotë Limaj.
Tarifa e roamingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile.
Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti. Kuvendi i Kosovës në qershor të vitit të kaluar kishte votuar një rezolutë për heqjen e tarifave të roamingut në telekomunikim, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që ta heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.