Nga Mero Baze
Në kujtimet e tij për ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri, Medi Bej Frashëri përshkruan negociatat e tij me klerin katolik dhe atë mysliman në Shkodër në vitin 1914, në përpjekje për të pranuar autoritetin e Princ Vidit.
Pasi i takoi myslimanët ata parashtruan disa kërkesa të tyre, që Mbreti i ri t’ua njihte përfitimet që kanë pasur në kohë të Sulltanit, por përgjigjen përfundimtare do ta jepnin pasi të vinte haberi nga Stambolli.
Edhe kleri katolik kishte shprehur miratimin e tij, por përgjigjen përfundimtare duhet ta jepnin kur të vinte letra prej Austrie.
E gjitha kjo skenë e 100 viteve më parë, është sot njësoj e ngrirë në Shqipëri, ndërsa shikon zgjedhjet për në Komunitetin Mysliman. Nuk i njoh personazhet në garë dhe pa diskutim që duhet të respektojmë zgjedhjet e tyre, por jo debatin e tyre.
Kjo qeveri ka treguar dinjitet duke qëndruar larg përfshirjes në hierarkinë e komuniteteve fetare, gjë që nuk e ka bërë opozita.
Por ajo që më bën përshtypje në debatin pas zgjedhjeve, ka të bëjë me faktin se gjithë debati është, se kë ka dashur më shumë Turqia prej kandidatëve, kush është “erdoganist”, e kush “gylenist”, dhe se si mund të jetë gjetur një e mesme.
Përfshi këtu dhe ndërhyrjen brutale të Sali Berishës, për ta kuptuar se zgjedhjet brenda komunitetit më të madh fetar në Shqipëri, janë një import i problemeve të Turqisë dhe opozitës shqiptare.
Pra myslimanët shqiptarë, zgjedhin mes shijeve të Erdoganit dhe shijeve të Sali Berishës.
Për fat besoj se shumica e myslimanëve shqiptarë janë indiferentë ndaj këtyre kulisave, por fakti që debati publik përqëndrohet pikërisht, se me kë ishte Turqia në zgjedhjet në Komunitetin mysliman, çdo gjë është për të ardhur keq.
Kështu ka qenë dhe 100 vjet më parë, por atëhere ishte e justifikueshme se sapo ngrihej shteti shqiptar.
Njëqind vjet më pas, kjo është histori banale.
E di që është e vështirë të shmangësh ndikimin e Turqisë mbi myslimanët shqiptarë, ashtu si ndikimin e Greqisë mbi ortodoksit, apo atë të Vatikanit mbi katolikët, por Greqia dhe Vatikani së paku tentojnë të ruajnë ndikimin fetar dhe jo politik mbi kishat respektive.
Kjo që Komuniteti Mysliman duhet të zgjedhë mes Erdoganit dhe Gylenit është një primitivizëm, pasi nuk është çështje fetare, por politike.
Të paktën të biem dakord që debatin ta bëjmë me argumente më shqiptare dhe më fetare, se sa këto politike që po dëgjoj sot. Se, më së paku, kjo është një pasqyrë e keqe e importit të konflikteve të shoqërisë turke në shoqërinë shqiptare, përmes Komunitetit mysliman. Dhe kjo është një situatë e gënjeshtërt. Turqia nuk ka mundur të eksportojë në Shqipëri problemet e saj, as tek myslimanët shqiptarë.
Të vetmit që kanë vetëimportuar problemet e Turqisë dhe po i përdorin kundër njëri tjetrit, janë krerët e fesë myslimane në Shqipëri. Ata po luftojnë me njëri tjetrin, sikur zgjedhjet të zhvillohen në Stamboll, dhe të kenë kryetar KQZ, Sali Berishën. Dhe kjo nuk i nderon as humbësit, as fituesit e kësaj gare.