Një derbi Tirana – Partizani tashmë është kthyer në çështje numrash, gjë që njërin prej klubeve e bën të ndjehet superior. Me atë të së premtes në mbrëmje, u bënë 17 ndeshje rresht që Tirana nuk fiton dot kundër rivalit të përjetshëm, Partizanit, madje në derbin e fundit nuk mjaftuan as 100 minuta, që njëri prej protagonistëve të shënonte ndonjë gol.
Dhe ndoshta skuadra e Memës kishte shansin më të mirë ta thyente tersin fyes që po e mundon prej shumë vjetësh, duke iu kthyer në një hall të tepërt, në morinë e halleve të bardhebluve. Megjithëse Partizani qëndron në vendin e parë në tabelën e klasifikimit, madje 20 pikë larg Tiranës, në takimin e fundit e vizitoi portën e Abibit vetëm kur kronometri shënonte minutën e 80-të, ndërkohë që deri në atë kohë, të zotët e stadiumit i kishin shpërdoruar mundësitë e tyre e bashkë me to edhe energjitë dhe për pak mund të humbisnin ndeshjen.
Sidoqoftë, ka edhe shifra që skuadrave të mbetur kryeqytetit në Kategorinë Superiore duhet t’ia përmendësh sa më rrallë. Megjithë përpjekjeve të përvitëshme, Partizani ende nuk e ka fituar titullin kampion prej një çerekshekulli, ndërsa Tirana prej gati një dekade, ndërkohë që kjo e fundit, përpara se ta vendosë si objektiv, duhet të provojë një herë të fitojë një derbi.
Ndërsa ekziston një shprehje inteligjente, të cilën mund ta përdorësh, sa herë që të duhet të justifikosh një dekor që nuk ka asnjë lidhje logjike me fushën: “Derbi nuk luhet, por fitohet”. Në kampionatet e fundit ka qenë pothuajse e pamundur për të ndjekur një ndeshje midis këtyre dy skuadrave, që mund t’i afrohej disi ngjyrave spektakolare të ofruara nga tifozët.
Edhe të premten në mbrëmje po e njëjta gjë; një atmosferë elektrizuese që të merrte me vete dhe në kuadratin e fushës një lojë e zakonshme, madje po të mos kishte suportin e shkallëve, mund të cilësohej ndjeshëm nën nivelin mesatar.
Tashmë na janë deformuar edhe shijet për derbin, sepse na është arratisur nga fusha ku ka skenën e vërtetë dhe prej vitesh po luhet në rrugë…
Ndërsa për një pjesë prej nesh, kjo është edhe arsyeja, pse tani po shijojmë futbollin më të mirë të 50 viteve të fundit. (Sfidanti.al)