Ujëvara e Hinkës vetëm 7 km nga qyteti i Fierit, është një destinacion ende i panjohur dhe i paeksploruar nga turistët.
Një ujëvarë e mrekullueshme jashtë çdo guide turistike të deritanishme, ajo përbën një potencial të pashfrytëzuar për zhvillimin e turizmit të natyrës në Fier, shkruan ata.
Me ftesën për nxitjen e turizmit në këtë monument natyre, Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi shprehet se Ujëvara e Hinkës ofron pamje mahnitëse dhe është një atraksion i shkëlqyer turistik.
“Ndodhet vetëm 7 km larg qytetit të Fierit, mes kodrave të hijshme të Peshtanit”, shprehet Subashi, duke folur për këtë potencial të fshehur turistik në Fier.
Bashkia e Fierit ka ndërmarrë ture promovuese me të rinjtë, në kuadër të promovimit të turizmit dhe pasurive natyrore.
Ujëvara e Hinkës, një kryevepër e natyrës, ndodhet në zonën kodrinore juglindore të qytetit Fier, e fshehur përfund vargut të kodrave të Peshtanit.
Ajo është rreth 20 metra e lartë dhe ujërat që rrjedhin në shtratin e saj janë nga burimet përreth. Për të shkuar atje, duhet të ndiqni itinerarin e rrugës Vlorë – Qafa e Koshovicës, duke devijuar në perëndim të kodrës së Peshtanit.
Me një vijë të gjatë bregdetare dhe me site të rëndësishme arkeologjike, Fieri mund të ofrojë një paketë të plotë turistike.
Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik dhe kulinaria e pasur e bëjnë Fierin një destinacion të rëndësishëm turistik, ndërsa eksplorimi dhe promovimi i resurseve të pafrekuentuara, siç është ujëvara e Hinkës, nxit zhvillimin e turizmit ditor.