Përfaqësuesit amerikanë që kanë ndaluar në Prishtinë, John Erath dhe Brad Berkley nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare në SHBA, e panë se e kishin të vështirë ta bindnin kryeministrin Ramush Haradinaj për të hequr taksën 100% të vendosur produkteve serbe.
“Sa i përket çështjes së taksës me Serbinë, përçarja e madhe po na shkatërron dhe po na e ul pozicionin negociues që duhet të kemi me Serbinë, po na nxjerr realisht probleme të brendshme. Por, unë mendoj se është më mirë të vuajmë tani si Kosovë po qe nevoja, t’i paguajmë disa pasoja, sesa në fund të na nxjerrë dikush një kontratë, një marrëveshje që merr përkrahje ndërkombëtare, por që nuk është në rregull për Kosovën”, tha Haradinaj.
Përveç Presidentit Hashim Thaçi, edhe përfaqësues të tjerë të lartë politikë, përfshirë edhe njërin nga liderët e opozitës, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, bënë thirrje që të dëgjohet sugjerimi i fundit amerikan, por Haradinaj përsëriti se nuk ka një ofertë bindëse që taksa të pezullohet.
/a.meta