Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka kërkuar dënimin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla për shpifje. Sipas Shkëlzen Berishës, Balla, i cili ishte dhe kreu i komisionit parlamentar hetimor për privatizimin e OSHE tek CEZ ka gënjyer duke thënë se Berisha nuk ka paguar asnjë tatim ndër vite.
Gjatë seancës ku Berisha ishte i pranishëm edhe me avokatin e tij, Balla mungoi duke u përfaqësuar nga avokati Gentjan Rumano. Sipas Rumanos, Balla nuk ka shpifur dhe sot nuk mund të ishte në gjyq për shkak të angazhimeve politike.
Në përfundim të seancës ku gjykata administroi si provë edhe një vendim ku Balla është i dënuar më parë për shpfije ndaj Shkëlzen Berishës, ky i fundit deklaroi se ka paguar 1.6 mil lekë tatime.
Shkelzen Berisha: E rëndësishmja në këtë seancë është fakti që vetë dokumentacioni që ka sjellë para gjykatës i akuzuari, të cilin e ka marrë gjatë komisionit parlamentar vërteton që unë kam paguar 16 mln lekë taksa dhe i akuzuari ka qenë në dijeni të kësaj pagese në momentin kur ka kryer shpifjen. Kjo është e rëndësishme sepse kjo provon që shpifja ka konsumuar veprën penale me shpifje në fjalë sepse ka qenë në dijeni të faktit që po bën një deklaratë të rreme.
Pretendimet e palës tjetër ishin që ne nuk kemi qenë në dijeni të këtyre taksave. Kemi pasur qëndrime të tjera, por është e vështirë të kesh qëndrime të palës kur pala mungon.
I pandehuri nuk është sot në gjykatë. Kam dyshim se arsyeja që nuk është në gjykatë është se nuk ka dashur të japë përgjigje për mbi 20-30 udhëtime që ka kryer me trafikantin e drogës Edmond Bego në vendet e Evropës. Nuk ka dashur të shpjegojë se pasi është kthyer nga këto udhëtime zoti Bego ka fituar në kundërshtim me ligjin mbi 6 mln dollarë para nga taksat e shqiptarëve, ndërkohë që nuk duhet t lejohej të merrte pjesë në garë dhe jo më të fitonte.
Pas përfundimit të procesit penal, patjetër që do të shoqërohet me një tjetër padi civile. Vlera do të përcaktohet pasi të konsultohem me avokatin tim, ekonomistin tim dhe më pas do të dalë një vlerë e qartë.
Deklaratat për të cilat Shkëlzen Berisha kërkon dënimin e Ballës kreu i grupit socialist i ka bërë gjatë periudhës Janar-Shkurt 2017 kur drejtonte komisionin hetimorë në të cilin ishte thirrur si dëshmitar edhe djali ish kryeministrit Berisha.