Raportuesi për Shqipërinë në PE, eurodeputeti Knut Fleckenstein deklaroi sot për ATSH-në se “heqja dorë nga mandatet në Parlament është një sinjal i keq ndaj shteteve anëtare të BE-së”.
Në një intervistë për ATSH pak orë përpara mbërritjes në Tiranë, Fleckenstein thekson se “ajo që ndodhi ditët e fundit në Tiranë, kur opozita hoqi dorë nga mandatet në Parlament nuk ndihmon askënd”.
Eurodeputeti apelon që të mos keqpërdoret liria për të demonstruar akte në mënyrë të dhunshme .
Për ATSH, ai thotë se “politikanët që u kërkojnë njerëzve të bëjnë protesta të dhunshme nuk janë produktive në këtë drejtim”.
“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që asgjë nuk duhet ta pengojë Shqipërinë në rrugën e saj për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Për këtë them se protestat janë të rëndësishme dhe një element thelbësor i shoqërisë demokratike, por ato duhet të jenë paqësore. Dhe politikanët që u kërkojnë njerëzve të bëjnë protesta të dhunshme nuk janë produktivë në këtë drejtim. Duhet të ketë një dialog konstruktiv mes njerëzve, opozitës dhe qeverisë, kështu që Bashkimi Europian kupton se Shqipëria është gati dhe e maturuar si duhet për t’u përballuar me pritshmëritë e mëdha dhe kushtet në procesin e anëtarësimit. Këshillat e mia janë pra të thjeshta: 1. vazhdoni me reformat. 2. për parlamentin: ktheju punës! 3. Mos keqpërdorni lirinë për të demonstruar duke kryer akte të dhunshme dhe as mos i merrni në konsideratë raste të tilla”, deklaron për ATSH eurodeputeti.
“Si një përfaqësues i zgjedhur, thekson Fleckenstein, parlamenti është vendi ku duhet të punoni për të ndryshuar jetën e njerëzve për të mirë. Dhe natyrisht është gjithashtu një sinjal i keq ndaj shteteve anëtare të BE-së përpara takimit vendimtar të Këshillit në qershor 2019”.
I pyetur lidhur me qëndrimin e opozitës për Reformën në Drejtësi, Fleckenstein thotë për ATSH se ajo duhet ta mirëpresë këtë progres.
“Reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut duhet të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që gjykatat të mund të kthehen shpejt në punë”, deklaron ai.
I pyetur për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, eurodeputeti shprehet për ATSH se “Këshilli i Europës do të marrë një vendim nëse do të hapë negociatat e anëtarësimit ose jo në qershor 2019. Prisnim që Këshilli ta bënte këtë në qershor 2018 dhe mendoj se tani është koha për të hapur më në fund negociatat”.
“Për Shqipërinë është e rëndësishme të përqendrohet më tej te reformat dhe të konsolidojmë progresin e bërë në reformën në drejtësi dhe të tregojë rezultate në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria duhet të tregojë në këto muaj para mbledhjes së Këshillit, se është e gatshme për hapjen e negociatave. Dhe kur them “Shqipëria” dua të them të gjithë, duke përfshirë edhe opozitën, që gjithashtu duhet të tregojë se është gati për hapin tjetër në rrugën europiane”, thekson për ATSH, Fleckenstein.
Sikurse edhe eurodeputeti Eduard Kukan, edhe Fleckenstein deklaron se “negociatat e BE me Shqipërinë janë të vonuara dhe ato duhet të kishin filluar më herët” /ATSH