Lideri i Partisë Demokratike Basha paralajmëron “mosbindje civile”. “Nuk njohim as Parlamentin, as Policinë e Shtetit”, tha ai në kohën e protestave të djeshme.
Bomba Molotov, vënie flake e gomave të makinave, tensione mes protestuesve dhe policisë rikthyen në mbrëmjen e të martës, ( 26.02.2019) dhunën në protestën antiqeveritare të opozitës, e treta në serinë e protestave të këtij muaji. Protestuesit kërkuan përsëri dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie kalimtare për të kryer zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Me thirrjet “Rama ik” dhe “Parlamenti i krimit” disa protestues të dhunshëm synuan të ҫanin kordonin e policëve që mbronte ndërtesën e Parlamentit dhe të pengonin deputetët të zhvillonin seancën e paralajmëruar plenare. Ata hodhën gurë, kapsolla tymi dhe kanoҫe me lëndë plasëse kundër kordonit të policisë në tentativë për ta ҫarë atë dhe u futur në sallën e Parlamentit. Situata u tensionua pas injorimit të thirrjeve me megafon të policisë për të ndërprerë aktet e dhunës dhe paralajmërimit se ”ato përbëjnë vepër penale dhe policia do të zbatojë ligjin”.
Policia përdori disa herë gaz lotsjellës për të ndaluar tentativat e protestuesve për të hyrë në Parlament. Ende nuk ka shifra zyrtare për protestuesit e lënduar por shifrat paraprake flasin për 13 që po marrin ndihmë mjekësore në spitalet e Tiranës. Pas përfundimit të seancës plenare dhe largimit të deputetëve nga një dalje anësore, lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha i drejtoi protestuesit drejt selisë së PD ku mbajti fjalën e mbylljes së protestës.
“Ne nuk njohim as Parlamentin, as Policinë e Shtetit. Mosbindja civile do të shtrihet nga Jugu në Veri. Beteja jonë vazhdon. Ajo që do ta çlirojë vendin nga klika mafioze, duke çliruar zgjedhjet, duke çliruar parlamentin”, tha Basha në fjalën e mbyllje. Protesta e zhvilluar në mbrëmjen e të martës, është e para pas dorëzimit të mandateve parlamentare nga 57 deputetë të opozitës, si kundër-veprim ndaj asaj që opozita e quan “blerje të votave” nga PS në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Dorëzimi i mandateve parlamentare është dënuar në mënyrë unanime nga faktori ndërkombëtar si një veprim destruktiv që minon demokracinë dhe rrjedhën normale të perspektivës europiane të Shqipërisë.
OSBE- Dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës
Prania e OSBE-së në Tiranëka reaguar menjëherë pas protestës së opozitës. Përmes një deklarate zyrtare ajo bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. “Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë”, thuhet në deklaratën OSBE-së.
Para fillimit të protestës edhe ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca bëri thirrje për protesta paqësore dhe angazhim të opozitës dhe qeverisë në një “diskutim konstruktiv”. Opozita do të vazhdojë serinë e protestave të saj për të rrëzuar qeverinë Rama të enjten, më 28 shkurt.
Parlamenti miraton strukturën e institucioneve të reja të Drejtësisë.
Gjatë 3 orëve që zgjati protesta e mbrëmshme e opozitës, Parlamenti miratoi me votat e deputetëve socialistë strukturën e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dy institucione kyҫ të reformës në Drejtësi, që do t’i hapin rrugë krijimit të Strukturës së Posaҫme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH).
Pritet që këto të fundit të hetojnë dhe ҫojnë para drejtësisë rastet e korrupsionit dhe të lidhjeve me krimin e organizuar në nivele të larta të politikës dhe shtetit. Në rotacionet e pushtetit që kanë ndodhur në Shqipërinë post-komuniste opozitat kanë akuzuar reciprokisht forcën politike në pushet për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, akuza që nuk janë provuar kurrë deri më sot, duke lënë të pandëshkuar politikanë të lartë, të përfolur për korrupsion, abuzim me fondet publike dhe pasuri të paligjshme.
Maxhoranca socialiste i konsideron protestat e tanishme të opozitës “antidemokratike, anti kushtetuese dhe antiligjore” , të nxitura nga „frika e hetimeve të pritshme” nga SPAK dhe BKH. DW
/a.meta