Nga Alfred Peza/
Mënyra sesi opozita e menaxhoi të parën protestë të saj përballë Parlamentit, pas daljes nga sistemi nëpërmjet aktit të dorëzimit të mandateve, është pasqyra më e mirë për të kuptuar nëse kjo filozofi do ta çojë atë drejt humbjes apo në fitore. Sepse ndërkohë që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke zhvilluar procedurën formale të ikjes së opozitës nga pushteti legjislativ, ajo ka dalë në rrugë për të protestuar, duke qëndruar përballë mazhorancës dhe qeverisë.
Koiçidencë apo e kërkuar, rastësi ose jo, fakt është se ky moment i daljes së opozitës në rrugë, përkoi me votimin e strukturave të reja të reformës në drejtësi; Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Votimi i këtyre dy institucioneve i hap rrugën përfundimisht, ngritjes së dy prej institucioneve më të rëndësishme të reformës në drejtësi: Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Mazhoranca, një pjesë e mirë e opinionistëve dhe e opinionit publik, besojnë se nisja e funksionimit të SPAK dhe BKH, po na çon drejt momentit të shumpritur të hapjes së “Kutisë së Pandorës”, së këtyre 30 viteve të fundit. Gjurmët e këtij hapi të madh për drejtësinë e re, të çojnë tek ajo pjesë e elitës së korruptuar dhe të kriminalizuar të vendit, që ka bërë e po bën ende çmos që të mos vinte kjo ditë. Pjesë e kësaj bërthame jo të vogël njerëzish të inkriminuar, që kanë dominuar jetën e Shqipërisë post komuniste nëpërmjet instalimit të kulturës së pandëshkueshmërisë, besohet se janë edhe nga radhët e opozitës aktuale.
Reagimi i përfaqësuesve dhe përkrahësve të PD e LSI përballë godinës së Parlamentit, ishte po aq ekstrem sa edhe akti i paprecedentë i dorëzimit të mandateve të deputetëve dhe dalja nga sistemi. Kjo e detyroi Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE) që të deklaronte se “dhuna nuk është përgjigja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetpërmbajtje e përgjegjësi. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë”.
Kjo sjellje e opozitës sonë, tregon se ajo është duke shkuar me këmbët e saj, drejt një humbje të sigurtë. Jo vetëm se ajo nuk pat një shkak të qenësishëm për të përligjur hedhjen e një hapi që nuk e ka hedhur asnjë opozitë tjetër politike në historinë e botës demokratike. Por, edhe për shkak se asaj i duhet që të gjejë jo vetëm argumentat e duhura, por edhe forcën për të frymëzuar qytetarët, për atë ajo e cilëson si si një kauzë të drejtë. Aktet e drejta politike, ngrihen mbi kauza të mëdha morale, të cilat herët ose vonë arrijnë që të frymëzojnë, të gjejnë përkrahje dhe mbështetje të madhe popullore, derisa në mënyrë të pashmangshme edhe triumfojnë.
Historia e njerëzimit ka treguar se politika mund ta udhëheqë popullin vetëm në dy mënyra: Ose me moralin e forces, ose me forcën e moralit. Asnjë opozitë në botën demokratike të epokës moderne, nuk ia ka dalë që të rikthehet në pushtet, nëpërmjet forcës. Nëpërmjet dhunës. Nëpërmjet zjarrit. Nëpërmjet djegies. Nëpërmjet shkatërrimeve. Nëpërmjet sulmit mbi institucionet legjitime. E aq më pak nëpërmjet goditjes së zemrës së demokracisë: Parlamentit. Vetëm ajo forcë apo grupim politik që nuk e ka të drejtën me vete, që nuk e ka moralin e kauzës me vete, që nuk e ka popullin me vete e gjen zgjidhjen tek dhuna.
Opozita në një sistem të demokracisë funksionale si kjo jona, mund të fitojë vetëm nëpërmjet një alternative: Me anë të forcës së moralit. Nëse opozita jonë do ta kishte të drejtën me vete, nuk duhet dhe nuk kishte pse të dilte nga sistemi. Por edhe tani që doli, nuk duhet ta luftojnë atë, duke e djegur me zjarr nga jashtë. Nëse e drejta është në anën e tyre, ajo është në anën e popullit. Nëse e drejta është në anën e popullit, nuk ka shtet e qeveri në botë, që ta ndalë fuqinë e saj.
Fuqia e shumicës reale popullore, forca e moralit dhe energjia e të drejtës së saj nuk mbështeten tek dhuna, por tek drejtësia e kauzës që opozita ka përqafuar. Skenat që pamë përpara Parlamentit, treguan se opozita jonë mund të pretendojë gjithçka, por faktet treguan se popullin nuk e ka me vete. Sepse nëse do kishte popullin, nuk do të frymëzonte dhunën dhe nuk do të qëndronte në anën e saj. Ndaj, tek protesta e parë e opozitës pas dorëzimit të mandateve, u pa veç humbja që vjen nga një sjellje e tillë! (Alpenews)