Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se seanca plenare e caktuar sot në orën 17: 00 është në përputhje me rregulloren. Manja pohoi se opozita po përpiqet të përçojë mesazhin se parlamenti shqiptar është jofunksional, por sipas tij, kjo është ide dhe veprim i gabuar pasi legjitimitetin e maxhorancës e përcakton kushtetuta.
“Proceduar e ndjekur nga kreu i kuvendit është në përputhje me rregulloren dhe nuk shoh ndonjë anormalitet. Opozita është në të drejtën e saj për të zhvilluar protesta, pasi opozita kërkon të përçojë mesazhin që parlamentin shqiptar është jofunksional. Këtë përgjigje e ka dhënë Kushtetuta e Shqipërisë. Ky parlament është plotësisht funksional nga ana kushtetuese.
Ne do të bëjmë detyrën që na ka dhënë kushtetuta. Seancat ju i quani të papritura, por opozita e di shumë mirë që sot seanca është normale. Reforma në drejtësi ka hyrë në rrugën pa kthim. Nuk e pengojnë dot reformën në drejtësi dhe aq më pak strukturat e tjera. Në një sistem demokratik ka dy rrugë që mund ndryshohet qeveria ose kur humbet besimin kryeministri”, tha ai.
Ai komentoi edhe deklaratën e Lulzim Bshës, i cili theksoi mbrëmë se po përgatitet arrestimi i kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Manja shtoi se halli kryesor i opozitës është reforma në drejtësi dhe krijimi i SPAK, ndërsa ripërsëriti fatin se të gjithë zyrtarët që kanë futur dorën në xhepat e qytetarëve do të përballen me drejtësinë.
“Unë e di se pushtetet në Shqipëri janë të ndara. Nëse Basha ka marrë përsipër të marrë rolin e prokurorit dhe të gjykatësit, prisni se ditët e tjera do të kemi të tjerë të arrestuar. Kjo është një lajthitje politike. Ata janë arratisur nga parlamenti, por edhe nga Komisioni i Reformës Zgjedhore.
Opozita ka frikë nga SPAK. Frika është njerëzore. Kush ka futur dorën në xhepat e qytetarëve duhet të përballet me drejtësinë. Kjo është siguresa e sistemit demokratik, që kemi zgjedhur. Qëndrimi ynë është i qartë si PS.
Ne jemi për të zbatuar ligjin për pushtetin vendor dhe është krejt normale, që një kryetar bashkie që ka qeverisë për më shumë se 12 vite, pse jo ti hapet rruga promovimit të figurave të reja”, shtoi ai./news24
/a.meta