Më shumë se 13,000 persona janë vrarë dhe 30,000 të tjerë janë plagosur në luftën, e cila ka nisur në prill të vitit 2014 në lindje të Ukrainës, kanë thënë Kombet e Bashkuara.
Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejta të Njeriut (OHCHR) në kuadër të OKB-së, ka njoftuar se në mesin e të vdekurve janë rreth 3,300 civilë.
Ky dokument është publikuar në kohën kur separatistët e mbështetur nga Rusia dhe forcat qeveritare të Ukrainës kanë hyrë në vitin e gjashtë të luftimeve si dhe është parë pak rezultat në zbatimin e armëpushimeve të ndërmjetësuara nga Perëndimi, të njohura si Marrëveshjet e Minskut.
“Zyra e OKB-së vlerëson se numri total i viktimave të lidhura me konfliktin në Ukrainë është rreth 40,000 nga 14 prilli i vitit 2014 deri më 31 janar 2019”, është thënë në deklaratë.
Sipas po kësaj zyre, shifra e viktimave civile është zvogëluar dukshëm kohën e fundit, përkatësisht nga 33-34 për qind më 2014, në 10-11 për qind më 2018.
Rusia ka ofruar ndihmë ushtarake, ekonomike dhe politike për militantët separatistë, të cilët kontrollojnë disa pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk në Ukrainë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka marrë vendim në muajin nëntor të vitit 2015 se lufta në lindje të Ukrainës “është konflikt i armatosur ndërkombëtar në mes të Ukrainës dhe Federatës Ruse”.
Kritikët kanë thënë se Rusia ka nxitur separatizëm dhe konflikt në një pjesë të madhe të Ukrainës, pasi presidenti i afërt me Moskën, Viktor Yanukovych ka ikur nga shteti në shkurt të vitit 2014, në kohën kur janë zhvilluar protestat masive të njohura si Maidan.
Protestat kanë nisur në vjeshtë të vitit 2013, kur Yanukovych pati braktisur planet për të nënshkruar një pakt që përcaktonte forcim të lidhjeve të Ukrainës me Bashkimin Evropian dhe kishte bërë thirrje për bashkëpunim më të thellë me Rusinë.
E.Xh./