India ka nisur sulme ajrore kundër militantëve të vendosur në zonën e Kashmirit, në territor pakistanez, pas një ngjarjeje të shënuar në fillim të këtij muaji, ku aktivizimi i një bombe la të vdekur 46 ushtarë indianë.
Një prej ministrave kryesorë të Indisë tha se sulmet ajrore kishin për objektiv një kamp stërvitor të grupit “Jaish-e-Mohammad” (JeM) në zonën Balakot. Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Pakistanit, që ka ngritur në fluturim avionë luftarakë.
Ngjarja e fundit përfaqëson një përshkallëzim të situatës armiqësore mes dy fqinjëve, që zotërojnë mes të tjerash edhe armë bërthamore.
Megjithatë, ky i sotmi është i pari sulm ajror që ndërmerret përgjatë “vijës së kontrollit”, siç quhet kufiri që ndan Kashmirin e administruar nga India nga Kashmiri i administruar nga Pakistani, që prej luftës së zhvilluar mes dy vendeve në vitin 1971.
Sekretari indian i Jashtëm, Vijay Gokhale tha gjatë një konference për shtyp se, sulmet ajrore kishin vrarë “një numër të madh” militantësh, përfshi komandantë, ndërsa ka shmangur viktimat mes civilëve.
“Informacione të besueshme kundërzbulimi u siguruan në lidhje me planet e grupit JeM për të tjera sulme vdekjeprurëse në Indi. Përballë një rreziku të pashmangshëm, një sulm parandalues ishte absolutisht i domosdoshëm”, tha ai.
Incidenti i fundit ndjek sulmin vdekjeprurës ndaj autokolonës indiane të sigurisë në Pulëama, në Kashmirin e administruar prej Indisë, në fillim të muajit shkurt.
Ndërkohë, ushtria pakistaneze konfirmoi fluturimin e avionëve indianë mbi territorin e saj, por tha se nuk kanë shkaktuar asnjë dëm.
Një zëdhënës ushtarak shkroi në rrjetet sociale faktin që “Forcat Ajrore indiane shkelën linjën e kontrollit, gjë që nxiti aktivizimin e menjëhershëm të Forcave Ajrore pakistaneze. Avionët indianë për pasojë u zmbrapsën, por detaje të mëtejshme do të jepen më vonë”.