Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se tarifat ndaj mallrave serbe po e pengojnë formalizimin e ndarjes së Kosovës, ndërsa kritikoi një pjesë të politikanëve në Kosovë e Bruksel se e kanë shndërruar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në atë për territore.
Ai i bëri këto komente gjatë një akademie përkujtimore kushtuar veprimtarit shqiptar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri, i cili u vra 29 vjet më parë në Bruksel nga shërbimet e fshehta jugosllave.
“Sot, njëzet vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa çarqe në Kosovë e Bruksel, duke u shndërruar në dialog për territore. Prandaj sot na duhet shembulli i heroit tonë Enver Hadri që të mos na përsëritet historia”,tha ai.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova nuk ka nevojë për njohje nga Serbia nëse çmimi për të është dhënia e territoreve.
“Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 shkurtit, është rreshtimi në anën e drejtë të historisë dhe ne po ashtu me veprimin për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra tarifat 100 për qind, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarjeje”,tha kryeministri Haradinaj.
Mundësia që kufijtë e Kosovës dhe Serbisë të bëhen pjesë e një procesi bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, është hedhur në verën e vitit të kaluar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Derisa presidenti serb flet për vënie kufiri, duke nënkuptuar shkëputjen e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe bashkimin me Serbinë, presidenti Thaçi angazhohet për “korrigjimin e kufijve”.
Idetë për prekje kufijsh kanë nxitur kundërshtime në Kosovë ku ndër më të zëshmit është kryeministri Ramush Haradinaj.
Idetë kanë nxitur reagime të ndara edhe në skenën ndërkombëtare. Gjermania prin si kundërshtare e ideve të tilla meqë sipas saj mund të nxisin reagime zinxhirore në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.
Shtetet e Bashkuara thonë se të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje normalizimi e cila “në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë”.
E.Xh./