Nga Prof.As. Dr. Artan XH. DUKA
Degradimi i sotëm politik nuk përbën lajm sepse është sëmundje e vjetër kronike e politikës në vënd. Edhe që emri PD del shpesh në pah sërisht nuk përbën lajm. Ka ndodhur disa herë duke filluar nga vitet 90 e deri më sot si kur janë në pushtet apo e kërkojnë atë. Lajm nuk janë as “kompromiset” historike që vetëm zhgënjejnë e riciklojnë tensionet pafund.
Por meqë po flasim për kohë reformash dhe vendosmërie për shtet ligjor si shtet i NATO dhe pranë hapjes së negociatave me BE, andrallat nuk zhduken duke u vënë “kapak” sipër ndaj nëse do të kemi ndonjë lajm do të jetë reagimi ndryshe nga ajo që kemi parë deri tani duke filluar nga brënda PD, elektorati i djathtë, media, mazhoranca dhe faktori ndërkombëtar.
A do ketë moderim në PD?
Dorëzimi i mandateve prej PD e LSI është një lëvizje regresive anti-sistem po aq ekstreme sa dhe vetë bojkoti i zgjedhjeve dhe që stonon më tej në mungesë të kauzës reale dhe kredos politike të protagonistëve. Implikimet janë të shumta teksa cënohet e drejta e votuesit për përfaqësim, puna e Kuvëndit, ecuria e reformave, integrimi në BE, raportet me partnerët ndërkombëtarë etj.
Por ndërkohë që braktisja e Kuvëndit në dukje shihet se shans i humbur dhe braktisje e të drejtës për përfaqësim të elektoratit, ajo përbën dhe një shans për progres brënda PD. Nëse flitet se e djathta është marrë peng gjatë në këtë vënd, elektorati nuk humbet nëse mbetet momentalisht pa përfaqësimin “surrogato” përkundrazi, krijohen premisa për të moderuarit në PD për ta rikthyer atë në identitetin e dhjetorit 90 dhe ofruar përfaqësim dinjitoz të së djathtës në vënd.
Vet-përjashtimi nga politika institucionale e një grupi politikanësh nuk ka pse lë boshllëk për përfaqësim të votuesit por përkundrazi duhet të krijojë hapësirë për alternativë e përfaqësim real të tij. Dorëzimi i mandateve është mundësi për afirmimin e mandateve të rinj dhe një shans elektoral më pas për një të djathtë moderne në Kuvënd dhe alternativë serioze për pushtet. Dhe ky do të ishte lajm i mirëpritur nga elektorati i djathtë.
Hipnoza “blu”
Që të moderuarit të arrijnë ta shndërrojnë PD në simbol të së djathtës pro-perëndimore me shans real për pushtet, nevojitet jo vetëm përkrahja e partnerëve politik në perëndim por dhe vetë mbështetja e elektoratit blu.
Votuesi i djathtë nuk ka pse i shkon pas duke i bërë dekorin një politike qorrsokaku që nuk ka lidhje me të djathtën dhe ul shanset e saj për ardhjen në pushtet. Në ‘90 u ngritën kundër kultit dhe idhujve dhe sot duhet të dëshmojnë se e kishin seriozisht duke konfirmuar se i vetmi “kult” është votuesi dhe respekti ndaj aspiratave të tij. Braktisja e politikanëve që tashmë kanë braktisur aspiratat e elektoratit dhe interesat e së djathtës në vënd dhe ofrimi i besimit ndaj politikanëve properëndimorë prej votuesit të djathtë do të ishte një lajm shpresëdhënës për emancipimin demokratik në vënd.
Media, pasqyrë apo megafon!
Publiku ka nevojë për trasparencë reale dhe të paanshme të zhvillimeve politike për ushtruar më pas presionin e duhur demokratik mbi partitë. Përballë katrahurës politike në vënd, media duhet të pozicionohet qartazi në favor të interesit të demokracisë dhe reformave reale që përshpejtojnë integrimin në BE.
Retorikat tension-nxitëse, pompimi i figurave të përfolura apo të diskretituara të djeshme në pushtet si shpresë(!) për të ardhmen etj prej gazetarëve servilë apo klientelist “spin-doctor” duhet të stonojnë përballë profesionalizmit gazetaresk dhe ky do të ishte lajmi i shumëpritur për mbarë shoqërinë. Publiku ka nevojë për lajmin objektiv dhe komentin e paanshëm dhe kjo garanton më pas për median vetë popullaritetin real.
Kompromis kushtetues, votë mazhoritare dhe garë për lidership
Sa për mazhorancën, detyrimi i saj është respektimi i ligjit dhe Kushtetutës dhe jo pazaret me palën përballë në kurriz të shtetit ligjor dhe interesit publik sikurse me ‘97, kodin zgjedhor, “Hapni Kutitë”, çadra 2017 etj. Nëse PD rraset vetë në “pusetë” ku kapaku hapet nga lart, nuk ka pse e lut kush të dalë, për më tepër “faqebardhë” në dëm të interesit publik. “Dora” e shtrirë është vetë Kushtetuta e pranuar nga të gjithë dhe nëse mazhoranca nuk lëshon më pe si dikur, do të ishte lajm për seriozitetin e saj.
Nëse jeta kuvëndore e kalimi i reformave në të pamundësohet për shkak të braktisjes prej PD e LSI, zgjidhja nuk është tundimi dhe lëshimi ndaj ekstremizmit politik dhe konsolidimi i precedentit negativ por shpallja e zgjedhjeve të parakohëshme dhe rikonfigurimi i parlamentit të ri. Dhe që deputetët të mos “klonohen” si deri më sot (sikurse dorëzimi i mandateve në rresht tregon) por të ndjehen borxhli ndaj votuesit dhe jo liderit të partisë, vëndi ka nevojë për ligj zgjedhor mazhoritar dhe nëse mazhoranca do e mbështeste këtë gjë do të ishte lajm që do të forconte besimin tek vota e demokracia në vënd.
Nga ana tjetër, mazhoranca, veçanërisht në kushtet kur opozita nuk bën detyrën e saj kushtetuese, ka detyrimin për liberalizim të mëtejshëm dhe konkurrencë alternativash brënda saj. Arritje ka plot, e po kështu dështime e zhgënjime sepse PS nuk mundet thjesht të krahasojë arritjet e saj me qeverisjen e PD sikurse krahasimet dikur me … 39!
Pjesë e rivitalizimit të qeverisjes dhe shkundjes së mazhorancës është ndryshimi në kreun e saj si shans për të motivuar jetën partiake dhe kompensuar për amortizimin që qeverisja shkakton. Askush nuk është i pazëvëndësueshëm dhe edhe nëse të suksesshëm, “papëzimi” i drejtuesit demotivon garën e vlerave dhe nxit oportunizmin në parti. Fati i partisë (dalja në opozitë) nuk ka pse ndjek fatin e liderit (humbja e popullaritetit) dhe më shumë se vitet, ka vlerë trashëgimia pas. Kryeministri ka të drejtën e mandatit qeverisës deri në 2021 por ndërkohë, pas kaq viteve në drejtim të partisë, duhet të hapë krahun për një tjetër kryetar partie që të garojë si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 2021. Dhe ky do të ishte lajm pozitiv për standartet partiake në vënd.
Dum perëndimor!
Së fundi por jo së paku, është jetik në këto momente roli i faktorit ndërkombëtar që pasi e vumë të gjithë bashkë “prift” në ‘90, ca duan t’i rruajnë “mjekrën” tani. Historia e tranzicionit ka dëshmuar se jo pak herë perëndimi ia ka ruajtur “erzin” PD si parti simbol e antikomunizmit në vënd pavarësisht se ka provokuar kriza që stonojnë me standartet në perëndim. Por thirrjet për kompromis e reflektim prej perëndimit për ngjarje të ‘96-’97-‘98, Krokodili, 21 janari, çadra e 2017 etj mjerisht në rastin më të mirë bien në vesh të shurdhër dhe në rastin më të keq shihen si imunizim nga reagimi perëndimor.
Në respekt të vetvetes, perëndimi nuk duhet kurrsesi të lërë përshtypjen se po bëhet “lolo” prej palo-politikës në vënd. Kriza e sotme e stisur nga PD është një rast për perëndimin të konfirmojë pa mëdyshje vijën e kuqe të tij duke filluar nga partnerët e PD në grupimin e partive popullore në Europë, BE dhe institucionet e saj që nuk kanë pse rëndojnë shoqërinë shqiptare me ngrirjen e proçesit të integrimit për shkak të politikanëve që janë bërë “figura” edhe me mbështetjen në vite prej vetë perëndimit dhe vetë aleatin historik SHBA.
Sot perëndimi duhet të vërë pikat mbi “i” për të mos krijuar përshtypjen se po i fut të gjithë në një thes. Duhet të flasë me një zë sepse standarti e sjellja demokratike është një. Dhe ky do të ishte lajmi më i shumëpritur nga të gjithë.