Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tërhoqi vëmendjen ndaj tensioneve në rritje në Venezuelë dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje.
Në një deklaratë me shkrim në lidhje me çështjen, Mogherini ka theksuar se në Venezuelë janë përkeqësuar kushtet e jetesës dhe se refuzimi i qeverisë për të pranuar ndihma humanitare ka rritur tensionet në vend.
“Në mënyrë të fuqishme u bëjmë thirrje forcave të sigurisë që të lejojnë hyrjen e ndihmave humanitare, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të mos përdorin dhunën”, deklaroi Mogherini e cila ka vënë theksin se arsyet e “krizës” në Venezuelë janë politike.
Më tej pasi ka nënvizuar se “kriza” mund të zgjidhet vetëm me rrugë politike, Mogherini ka ripësëritur thirrjen e BE-së për zgjedhje “transparente, të sigurta dhe të lira”.
Venezuela u përfshi në protesta që nga 10 janari kur presidenti Maduro dha betimin për mandatin e dytë pas bojkotit të opozitës.
Tensionet u përshkallëzuan kur kreu i opozitës, Juan Guaido, më 23 janar u vetëshpall president i përkohshëm, i mbështetur nga SHBA-të dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine. Rusia, Turqia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika mbështesin Maduron.