Si pasojë e motit të ftohtë me temperatura që arrijnë në -11 gradë në disa zona, ARRSH njofton për situatën dhe kalueshmërinë në rrugën e vendit.
Bëhet me dije se në Qarkun e Korçës gjatë natës reshjet e dëborës janë ndërprerë, por pavarësisht kësaj aty janë regjistruar temperatura të ulëta që shënojnë -11 gradë celsius.
Mësohet se qarkullimi i mjeteve bëhet pjesërisht me zinxhir në aksin Qafa e Qarrit Korçë-Ersekë. Po ashtu kalimi në rrugën e Dardhës bëhet me zinxhir. Kompania e mirëmbajtjes ka qenë në punë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës.
Në Veri qarkullohet pa probleme. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve vetëm në km e fundit të aksit Ura e Cerenecit- Steblevë.
Si pasojë e motit të keq me erëra të forta në formë cikloni që ka vijuar edhe gjatë natës e orëve të para të mëngjesit, në disa zona të vendit, rrjeti elektrik ka pësuar defekte, ku janë këputur përcjellësa, janë thyer izolatorē apo ka pasur bashkim përcjellësash në linjat e tensionit të mesëm 10/6kV. Nga informacioni i orës 8.00 të ditës së sotme, më të prekura nga defektet janë rajonet e Shkodrës dhe rajoni i Burrelit.
Ka një përmirësim të gjendjes përsa i përket defekteve në rajonin e Elbasanit.
Rreth 50% e fiderave në këto rajone janë stakuar si masë sigurie për të parandaluar defekte të mundshme në rrjetin shpërndarës. Brigadat e avarisë së OSHEE janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e normalitetit në furnizimin me energji elektrike. (BW)