Të paktën 78 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit të rënë në një lagje të kryeqytetit të Bangladeshit, Daka.
Zjarri shpërtheu gjatë natës, në një ndërtesë rezidenciale që kishte materiale të djegshme, të grumbulluara në katin e saj nëntokë.
Mes viktimave mendohet të jenë edhe disa dasmorë. Teksa shkaku i nisjes së flakëve nuk është ende i qartë.
Lagjja qindravjeçare “Chawkbazar” i ka godinat shumë pranë njëra-tjetrës dhe rrugët tejet të ngushta. Pikërisht kjo u kthye në pengesë për zjarrfikësit, që kishin mungesë të rezervave të ujit.
Ajo mbetet një qendër e biznesit të lëndëve kimike e punishteve lokale të parfumeve, edhe pse autoritetet e ndaluan magazinimin e kimikateve atje, pas një zjarri vdekjeprurës në vitin 2010.
Zjarret nëpër ndërtesa janë mjaft të zakonshme në Bangladeshin me dendësi të madhe popullsie, e me kushte mjaft të dobëta mirëmbajtjeje dhe mungesë rregullash të sigurisë.
Me qindra vetë kanë humbur jetën prej tyre gjatë viteve të fundit. Të dielën, flakët që shpërthyen në periferinë e qytetit bregdetar “Chittagong” vranë të paktën 9 persona.