Ish-kryeministri Sali Berisha ka vizituar sot një ekspozitë me piktura, ndërsa ka bërë edhe disa deklarata në lidhje me aktualitetin politik.
Duke folur për mediat, Berisha sulmoi kryeministrin Rama ndërsa komentoi edhe apelin e SHBA-BE për djegien e mandateve.
“Ekziston një Galeri që nuk guxon të hapë ekspozitë të një piktori sepse zhgarravitësi mendon se vetëm punët e tij anti-art nuk mund të konkurrohen” – tha Sali Berisha.
Ai u shpreh se çdo gjë ka një fund dhe se u bën thirrje socialistëve të largojnë Edi Ramën.
“Urrejtja ndaj Ramës dhe regjimit të tij bëhet çdo ditë e më e pakufijshme. Unë kam konstatuar me datën 16 Shkurt dhe dje në masat e gjera protestuese një urrejtje që e kam parë vetëm në vitet 90-91. Në këto kushte nuk duhet nënvlerësuar situata sepse ndëshkimi po afron” – tha ish-kryeministri.
Berisha u pyet edhe për djegien e mandateve. Ai tha se e mirëkupton kritikën e SHBA-BE për hapin ekstrem të opozitës, por ndërkombëtarët nuk e njohin realitetin në Shqipëri.
“Asnjë përfaqësues i vendeve demokratike nuk e mbështet një vendim të tillë, por dua t’i siguroj miqtë tanë se ky është një veprim që ka një qëllim të vetëm. Daljen në sheshbetejë për të mbrojtur vlerat e demokracisë. Unë e mirëkuptoj kritikën, por u bëj thirrje të vijnë dhe të shohin realitetin. Ju siguroj se do të gjejnë një realitet të ndryshëm nga ai që kanë në dosjet e tyre në tavolinë” – tha Sali Berisha për mediat.
/javanews/a.rada