Sali Berisha, ishte i pari nga radhët e Partisë Demokratike që propozoi djegien e mandateve dhe pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, deputetët e PD-së hoqën dorë nga mandati i deputetit.
Tashmë është zbuluar edhe dokumenti që Berisha ka firmosur për të lënë mandatin e deputetit, ndërkaq dorëheqja është e parevokueshme.
“Me vullnet të lirë deklaroj: Unë, Sali Berisha, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke vlerësuar si të pamundur vijimin e punës në Kuvendin e Shqipërisë, në mbështetje të shkronjës ‘b’, pika 2, e nenit 71 të Kushtetutës, jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati si deputet në Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e firmosur nga Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha pak më parë ka publikuar disa foto, ku shfaqet mes demokratësh tek selia blu përpara mbledhjes së Këshillit Kombëtar, i cili vendosi përfundimisht për djegien e mandateve. Me një status në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan se ky këshillë vendosi përfundimisht rrëzimin e Edi Ramës dhe mosnjohjen e Parlamentit.
Ai pohoi se ditën e nesërme e gjithë Shqipëria do të jetë në orën 10:00 në protestën e opozitës së bashkuar përballë godinës së parlamenti. Berisha e cilësoi Parlamentin si “institucion që i shërben krimit dhe korrupsionit”.
“Ne mes te demokrateve para mbledhjes se Keshillit Kombetar qe vendosi rrezimin e Kakistokracise, dorezimin e mandateve dhe mosnjohjen e paralamentit te ngritur mbi drogen, krimin, korrupsionin!
Neser Shqiperia para parlamentit! Sb”, shkruan Berisha.