Opozita e bashkuar i është përgjigjur deklaratës së Policisë së Shtetit se në protestën e nesërme do të ketë dhunë.
Në një reagim të shpërndarë për mediat, opozita deklaron se skenarë të tillë janë vetëm në zyrën e Edi Ramës.
“Opozita e Bashkuar dënon më forcë deklaratën e Policisë Politike dhe të Ministrit të fundit të Brendshëm të diktaturës komuniste për nxitjen e dhunës nga opozita në protestën e së enjtes para Kuvendit të Shqipërisë.
Nëse ka një skenar dhune apo sulmi ndaj institucioneve, ky skenar gjendet në zyrën e Edi Ramës”, thuhet në deklaratë.
Duke iu kthyer protestës së të shtunës së kaluar, opozita deklaron se vërtetoi që në mesin e tubuesve nuk kishte kriminelë.
“Opozita e Bashkuar njofton bandën në krye të qeverisë, Kuvendit dhe të Policisë se koha e kërcënimit të shqiptarëve ka ikur!
Edi Rama mund të ndryshojë axhendën e Parlamentit “339”, mund të arratiset vetë nga Tirana, por është i pafuqishëm të ndryshojë axhendën e popullit”, thuhet në reagim.
Opozita mbyll deklaratën duke nënvizuar se “sovrani do të ushtrojë nesër të drejtat e tij, në orën 10.00 para Parlamentit, i cili nuk duhet të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por t’u kthehet sa më shpejt Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
/a.rada