Kryeparlamentari Gramoz Ruçi tha sot se po ndjek me shqetësim klimën e acaruar politike që ka shkaktuar opozita.
Ai kërkoi mirëkuptim për mos-zhvillimin e seancës së të enjtes, ndërsa më parë edhe Policia e Shtetit konfirmoi se opozita synon të zaptojë sallën e Kuvendit.
“Salla është e të gjithëve. E shoh me trishtim që një pjesë të jenë jashtë duke protestuar, dhe disa kolegë të tyre të jenë në sallën e Kuvendit. Si kryetar i Parlamentit kam për detyrë të shmang çdo skenar dashakeq për ligjvënësit” – shtoi Ruçi.
Nga Kryesia e Kuvendit ai përshëndeti qytetarët që u distancuan nga dhuna në protestën e së shtunës.
Ai u shpreh se 16 Shkurti dëmtoi imazhin e Shqipërisë.
“Kush nuk na e do të mirën si vend, ka fërkuar duart. Kush na sheh si miq, është ndjerë keq. Kush ka bërë plane për të bërë pushime në Shqipëri, padyshim është stepur. Ato pamje nuk janë inkurajuse, as për investitorët dhe as për konsumatorët” – tha Ruçi.
Ai tha që negociatat të vihen në pikëpyetje nga rrethanat e brendshme është e pajustifikueshme.
“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë situatë të krijuar. Nuk do të doja kurrë realizimin e skenarit për djegien e mandateve, sepse një opozitë që vetëvritet i bën vendit një dëm shumë të madh. Mesazhi i djeshëm i SHBA-ve dhe BE-së më kanë lënë shijen e hidhur. Një skenar i tillë i padëgjuar, është një lloj kamikazllëku politik që hedh në erë të zotët e punës, por që na dëmton të gjithëve” – tha Ruçi ndër të tjera.
Ai vijoj duke thënë se opozita po e kërcënon Parlamentin duke hedhur në erë rrugët e Shqipërisë dhe duke kërkuar pushtetin në tavolinë.
“Debati nuk mund të zhvillohet në rrugë dhe me mjetet e rrugës. Si mund të bëhet opozita të bëhet objekt i mesazheve kritike të SHBA-ve dhe BE-së?” – shtoi Ruçi.
/a.rada