Nga Ardit Rada
Është në stilin e amerikanëve të flasin shkurt dhe qartë sa u përket zhvillimeve politike në vendin tonë. Në mungesë të ambasadorit të ri, Uashingtoni ka përzgjedhur mesazhet e qarta përmes rrjeteve sociale dhe njëkohësisht duke marrë feedback nga qytetarët përmes komenteve.
Si investitorë të Reformës në Drejtësi, SHBA ka qenë gjatë viteve të fundit e interesuar për çdo hap që do të pengonte sundimin e ligjit dhe integrimin.
Pasditen e së martë, Uashingtoni zyrtar ka folur përmes ambasadës në Tiranë, ku mes rreshtave mund të kuptohen detaje interesante, por edhe paralajmërime të forta.
“Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë”.
Pra, kjo pjesë e deklaratës që u bën thirrje deputetëve opozitarë të refuzojnë vendimin për djegien e mandateve, është një nxitje edhe për ‘rebelim’ brenda grupeve parlamentare.
Nisur nga eksperienca kur PD dhe LSI nuk pranonin të votonin reformën në Drejtësi, amerikanët e kanë kuptuar se politikanët shqiptarë mund t’i bëjnë ‘zap’ qoftë edhe përmes një SMS-je në telefonat e tyre.
Por a do të ketë deputetë të opozitës që do të dëgjojnë Uashingtonin? Kjo mbetet për t’u parë!
Por e sigurt është që përveç humbjes së dy viteve të mbetura nga mandati, deputetët e Bashës dhe Kryemadhit do të përballen edhe me zemërimin e SHBA-ve.
/javanews.al