Martin Demichelis sapo ka dëshmuar se është një mbrojtës fantastik, madje edhe pasi ka varur këpucët në gozhdë. Por si? Duke mbrojtur familjen e tij nga katër hajdutë që më pas u detyruan të t’ja mbathin me vrap.
Në fushë, veçanërisht në kulmin e karrierës së tij, mesh mes Bayern Munich dhe Manchester City, rrallë herë mund të ndodhte që Demichelis të ndihmohej nga fati. Argjentinasi ishte thjeshtë shumë i fortë. Fatin e kërkonte. Një gjë është e sigurtë, ato moment shpërqëndrimi që ndonjëherë mund të kishte në fushën e blertë, tani nuk i ka më.
Në fakt ai ka pikasur futjen në shtëpinë e tij të katër hajdutëve me maska që kishin depërtuar në banesën e tij në Marbella. Ish-mbrojtësi është zgjuar rastësisht në mes të natës. Mbase për shkak të grintës, ose zhurmës së tij, hajdutët janë trembur dhe kanë nxituar të largohen.
Kanali televiziv argjentinas “El Trece” ka sqaruar çështjen, duke qetësuar tifozët e futbollistit dhe sidomos ndjekësit e bashkëshortes së tij të bukur, aktores dhe modeles Evangelina Anderson, në lidhje me gjendjen e tyre.
Normalisht që 3 fëmijët e tyre janë trembur pak, por falë Zotit, askush nuk u dëmtua. Duke rikujtuar aftësinë mbrojtëse dhe agresivitetin e Demichelis, nuk mund të premtohet e njëjta gjë edhe për hajdutët. Fundja, kriminelët e kërkuan vetë dajakun.
Referuar asaj që raporton televizioni argjentinas, policia ka sqaruar familjen se hajdutët kanë depërtuar nga dritarja, por se nuk kanë mundur dot të marrin me vete shumë të mira materiale. Padyshim që një shumë parash dhe disa bizhuteri kanë arritur t’i përvetësojnë.
/a.r