Duke filluar nga dita e martë, 54 mjekë të rinj të dalë fitues nga konkursi i shpallur për mjekë të përgjithshëm në kujdesin shëndetësor parësor, do të nisin punën.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu lajmëroi se mjekët e rinj fillojnë nga nesër punë në qendrat shëndetësore nga veriu në jug dhe i bashkohen me meritë ekipit të shëndetësisë.
“Nga Kukësi në Gjirokastër, ata kanë zgjedhur për të punuar edhe në qendra të largëta shëndetësore, si Grykë Caje në Kukës, Fushë-Cidhe në Dibër, Zharrëz në Fier, Pishaj në Gramsh, Poliçan në Skrapar, e në shumë struktura të tjera të parësorit, për të shërbyer afër komunitetit, aty ku janë nevojat”, tha Manastirliu.
Sipas saj, 103 mjekë aplikuan pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe po vijon procesi i punësimit edhe me mjekët e qendrave shëndetësore në Tiranë.
/a.rada