“Kuvendi është legjitim edhe me djegien e mandateve të opozitës, por ky akt i paprecedentë dëmton rëndë integrimin e Shqipërisë në BE”, tha sot deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja në një intervistë televizive.
Manja u shpreh sot se djegia e mandateve të opozitës është një situatë e paprecedentë.
Manja argumenton se “Kushtetuta në Neni 71, ka parashikuar rastet e ndërprerjes së mandatit të deputetit. Kodi Zgjedhor në Nenin 164 të tij përcakton rastet se si veprohet kur një deputet heq dorë nga mandati”.
“Nuk e di sa seriozisht e ka opozita për djegien e mandateve, por Kodi Zgjedhor e ka përcaktuar qartë se nuk vlen asnjë marrëveshje paraprake, individuale apo kolektive. I vetmi rast që ka parashikuar Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor se si ndërpritet mandati është akti individual i çdo deputeti të opozitë për të hequr dorë nga mandati dhe Kuvendi pasi administron heqjen dorë nga mandati ia dërgon KQZ-së”, tha ai.
Po ashtu, Manja tha se opozita ka një vendimmarrje politike, por mënyra se si veprohet e ka përcaktuar Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.
“Deri më tani, askush nuk ka hequr dorë nga deputetët e opozitës siç e kërkon Kushtetuta. Mandate nuk janë të PD-së sepse deputetët e kanë fituar në mënyrë individuale mandatin. Sepse në fund të fundit, ne jemi në një demokraci përfaqësuese, ato mandate janë të sovranit dhe nëse opozita ka vendosur t’i braktis, kjo është çështje e opozitës. Dhe për mua nuk është serioze. E din çfarë kërkon opozita? Pasi kanë kaluar dy vjet nga zgjedhjet, kërkon një qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër, sepse më kanë vjedhur zgjedhje. Kur u mori vesh se u vodhën zgjedhjet? Kur KQZ dha vendim, kur faktori ndërkombëtarë OSBE/ODIR i njohu dhe i certifikoi zgjedhjet?!”, tha ai.
“Dëmi më i madh që i bëhet vendit është i pallogaritshëm”, shtoi Manja, pasi na ndajnë pak muaj nga prezantimi i paketës së zgjerimit nga Komisioni Europian dhe në qershor do mblidhet Këshilli për t’u shprehur për negociatat e Shqipërisë me BE.
Për sa i përket funksionimi të Kuvendit pa mandatet e opozitë, Manja shprehet se për të gjitha këto e ka dhënë zgjidhjen Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.
“Kushtetuta e ka përcaktuar qartë se Kuvendi përbëhet nga 140 deputet të zgjedhur në mënyrë sipas sistemit proporcional rajonal dhe po Kushtetuta në nenin 78, thotë se Kuvendi vendos me shumicën e vota dhe kjo do të thotë se me 71 deputet është legjitim. E vetmja gjë që nuk bënë Kuvendi është se nuk miraton ligje me shumicë të cilësuar 84 vota, por le të presim se do t’i djeg apo jo opozita mandatet mete për t’u parë. A kanë më të vërtet, apo jo?!”,- tha ai.
/a.rada