143 djem e vajza u nisën sot për në Shkollën e Trupës në Bunavi, ku për rreth 3 muaj do t’i nënshtrohen Stërvitjes Individuale Bazë, përpara se të betohen si ushtarët dhe detarët më të rinj të Forcave të Armatosura.
Në ceremoninë e përcjelljes së rekrutëve të rinj ishte e pranishme vetë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila vlerësoi zgjedhjen e këtyre djemve e vajzave për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura.
“Të bëhesh pjesë e Forcave të Armatosura do të thotë të bëhesh pjesë e një skuadre. Nuk është e lehtë e nuk mund të jetë e lehtë të bëhesh pjesë e Forcave të Armatosura. Aq më shumë sot, kur të bëhesh pjesë e ushtrisë shqiptare, do të thotë të bëhesh pjesë e një aleance si NATO. Do të thotë që nesër pasnesër të shërbesh në misionet e Aleancës krah për krah me aleatët tanë amerikanë, gjermanë, francezë, anglezë. Me ushtarakët e ushtrive më moderne e më profesioniste që njeh sot bota”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Ajo i kushtoi një vëmendje të veçantë rekruteve vajza dhe barazisë gjinore në Forcat e Armatosura.
“Të hapësh Forcat e Armatosura për gratë e vajzat shqiptare është një domosdoshmëri! Dhe ne nuk mund të kemi më të mirët, më të talentuarit, më të përkushtuarit, në qoftë se përjashtojmë nga përzgjedhja plot gjysmën e shqiptarëve vetëm sepse janë gra dhe ushtria është vend për burra. Ne kemi nevojë për talentin e çdo djali dhe çdo vajze! Por jam po ashtu e vetëdijshme që jemi ende larg hapjes së vërtetë të Forcave të Armatosura si një mundësi reale karriere për çdo vajzë e çdo grua që dëshiron t’i bashkohet kësaj organizate për t’i shërbyer vendit dhe popullit të saj. Për një organizatë si Forcat e Armatosura të Shqipërisë që sot janë duke përjetuar një proces modernizimi e profesionalizimi sipas standardeve më të larta të NATO, kjo mbetet një sfidë që unë jam shumë besimplotë se mund ta fitojmë”, deklaroi Ministrja e Mbrojtjes.
143 kandidatët që u përcollën për në Shkollën e Trupës në Bunavi, u përzgjodhën pas testimeve fizike, intelektuale dhe psikologjike nga Qendra e Personel Rekrutimit të Forcave të Armatosura. Pjesë e kandidatëve për ushtarë/detarë janë edhe 10 vajza, ndërkohë që 18 rekrutë janë me arsim të lartë.
/a.meta