Analisti dhe studiuesi, Afrim Krasniqi, i ftuar në emisionin “A Show” në News 24 komentoi vendimin e opozitës, e cila njoftoi sot djegien e mandateve parlamentare.
Sipas tij, kjo lëvizje politike nuk është parë në ndonjë vend të botës. Ai foli me tone të ashpra për partitë politike shqiptare, pasi sipas tij, problemi më i madh i tyre është “mos dëgjueshmëria”.
“Nuk ka debat. Nuk ka frymë. Ne po shkojmë në qershor dhe nuk kemi një bilanc për Europën dhe këtë politika e di. Unë mendoj se është një vendim ekstrem, sepse nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës. Kjo është një ftesë adresuar faktorit ndërkombëtar. Pas marrëveshjes së kaluar, Lulzim Basha ka nevojë për të forcuar bazën në parti.
Mekanizmat e demokracisë janë kështu sepse nuk mund të kesh mandat të përhershëm. Në momentin që opozita dorëzon mandatet, sepse ky është një proces shumë i gjatë. Partitë shqiptare nuk mendojnë. Sistemi ynë në 2008 është përcaktuar se liderat duhet të takohen. Opozita nuk është më opozita e kaluar, por është zgjeruar.
Unë mendoj se kemi dështuar si sistem politik. Nuk pres zgjidhje. Kjo zgjidhje do të vijë nga të huajt. Shqiptarët do të presin ashtu sikur kanë pritur në këto 28 vite”, tha ai.