Nga Ben Andoni
Në momentin sesi po zhvillohen gjërat në Shqipëri, duket se qetësia është shumë larg. Është e vërtetë që vendi ynë i ka gati të përhershme konfliktet politike, por pikërisht mësimi i tyre na paralajmëron se situata e tanishme me Pozitën dhe Opozitën nuk ka gjasa të vazhdojë normal për kohën e mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme. Kurse kriza e madhe politike e vendit, shkaktuar nga kundërshtimi konstant i PD-së dhe aleatëve të saj, do të ketë pasojat e veta. Është për të ardhur keq se kryeministri i vendit nuk po di ta lexojë si duhet protestën. Është e drejtë që Opozita ka përdorur mjete jo demokratike (ajo e mohon se ishin njerëzit e saj!!), porse në momentet që jemi, një gjë kuptohet qartë: drejtimi i maxhorancës ka filluar të bjerret në një masë shumë të madhe. Ashtu si Opozita me përçarjen e madhe dhe të pafre e ka të vështirë të orientohet në konceptimet e reja, që do t’i bëjë luftës së saj. Djegia e mandateve mund t’i shkaktojë shumë probleme, pasi fillimisht nga LSI-ja, por nuk është larg dhe nga radhët e saj të ketë shumë pakënaqësi për këtë vendim, që mund t’i rraskapisë.
A mundet kryeministri i vendit të drejtojë me yes-man, që nuk e kundërshtojnë për asgjë, dhe përballë numrave që nuk janë sfidues? Patjetër që po. Me këtë nivel demokracie që ka vendi, çdo gjë është e mundur. Veçse kjo nuk ndryshon asgjë. Logjika të çon në faktin që mandati i z.Rama mund të rezistojë me sforco dhe dy vjet, derisa të vinë zgjedhjet, ose më saktë ai mund të inincojë zgjedhje të parakohshme, por ai vetë do e ketë vështirë të ngjallë më besim si dikur.
Partia Socialiste duhet të fillojë të mendojë seriozisht për të ardhmen e saj, pasi mungesa e zgjedhjeve demokratike brenda partisë ka fashitur gjithçka në emër të Yes-man, që vetëm i bëjnë hosana Njëshit të Partisë. Deri më tani, janë tre personazhe që duken si më të besueshëm për të vijuar punën e tij: Erion Veliaj, Ditmir Bushati dhe në fund Pandeli Majko. Ky i fundit ka stofin e politikanit serioz dhe që empatia e bën të besueshëm në artikulimet e tij. Ndoshta mungesa e formimit ekonomik mund t’ia vështirësojë punën sa i përket rregullimit dhe kuptimit të drejtë të problemeve ekonomike të vendit. Por, përvoja si kryeministër (ka qenë dy herë), mund t’i japë shumë dorë në mbajtjen e një ekuilibri të nevojshëm.
Erion Veliaj ka energjinë dhe egon që ta realizojë detyrën e kryeministrit, por problemi është se kasta e PS-së e ka të vështirë të mësohet me energjinë dhe frymën e tij.
I fundit, por jo nga rëndësia është ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, që ka ngritur një staturë në mandatin e tij si drejtues, kurse me maturinë politike ka treguar se mund të marrë përgjegjësi. Këtë e tregoi në rastin e prononcimeve për Kosovën, por sidomos edhe në marrëdhënien e kujdesshme që ngriti me kolegun e tij grek në Marrëveshjen e re Tiranë-Athinë.
PS-ja duhet realisht të mendojë për të ruajtur individët, që mund t’i shërbejnë në të ardhmen ekzistencës së saj dhe mbajtjes në nivele të larta konkurrimi. Mësimi i PD-së është ende i freskët ashtu si dështimi i saj me një njeri si Basha, që e ka futur në qorrsokak jo vetëm partinë por edhe krejt politikën e vendit me paqartësinë e tij. Në rastin e PS-së, detyra është imediate, pasi Kryeministri i vendit po lëshon pa fund nga autoriteti i tij, paçka se për militantët ai duket në zenitin e vet. (Javanews)